Profesor Fuga: Studentët kanë gjithmonë të drejtë, mos i prekni!
Profesor Fuga ka dhënë një mesazh të qartë përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar me forcë se “studentët kanë gjithmonë të drejtë”. Ai dënon çdo akt dhune ndaj tyre dhe bën thirrje që askush të mos bëjë "krimin kombëtar" t'i dhunojë.
Fuga shprehet i sigurt se studentët e tij nuk janë të dhunshëm dhe nuk kanë prirje psikologjike të tilla. Përkundrazi, ai ka vënë re me trishtim se shpesh ata kanë vuajtur në heshtje nga vështirësitë e jetës dhe ankthi për të ardhmen, duke mos i kërkuar me insistim të drejtat e tyre të gjera dhe të mëdha.
“Dhe këtë, sado kritik të jesh, e kanë bërë sepse kanë besuar, ndonjëherë me sinqeritet naiv, sepse kanë respekt, shpesh më të madh sa duhet, për vlerat bazë të shoqërisë. Nuk iu intereson dhuna në shoqëri sepse ata janë të zotët për të çarë në një konkurrencë paqësore me të tjerët në karrierë,” shkruan Fuga. Ai gjithashtu thekson se as ai dhe as kolegët e tij nuk u kanë mësuar kurrë dhunë studentëve.
Profesori refuzon çdo insinuatë apo formulë klishe mediatike dhe propagandë qeveritare që pretendon pa prova se studentët bëjnë dhunë, thyejnë, vënë zjarre, kërcënojnë apo dhunojnë me gurë policë. Ai qartëson se një individ i veçantë, i mpleksur rastësisht në ndonjë ngjarje të dhunshme, nuk përfaqëson studentët dhe nuk duhet t'i bëjë pis ata.
“Studentët nuk duan vetëm të ardhme, por ata janë e ardhmja e vendit, shtresa më e kulturuar e tij, në pjesën dërmuese vajza, ata janë shpresa e emancipimit të shoqërisë shqiptare!” deklaron Fuga. Ai paralajmëron se çdo dhunim apo ndalim pa prova i studentëve, çdo trajtim jo në bazë të ligjit, është i dëmshëm socialisht, cenon drejtpërdrejt atë dhe kolegët e tij, si dhe dëmton rëndë kulturën shqiptare, duke hapur plagë të thella në kujtesën kolektive të kombit.
Studentët kanë nevojë të dëgjohen, shprehet Fuga, pasi ka dhjetëra mënyra paqësore për t'u vënë veshin kërkesave të tyre sociale, ekonomike, pedagogjike dhe madje edhe politike. Ata kanë të drejtë të jenë mosbesues, pasi besimi i tyre është abuzuar dhe kërkesat e tyre janë hedhur në kosh me premtime boshe. Ata aspirojnë për diploma cilësore, të cilat janë përbuzur nga mekanizma false dhe cinike të promovimit social në shoqëri.
Politika, sipas Fugës, i ka gënjyer studentët, nuk ka bërë asgjë nga premtimet e viteve më parë, dhe arbitrariteti i qeverisjes arrin deri aty sa nuk ka asnjë statistikë të papunësisë intelektuale. Meritokracia nuk funksionon, nuk ka parashikim për profesionet intelektuale në të ardhmen, dhe shoqëria sundohet nga klani, miqësia dhe paraja për të zënë një vend pune. Më tej, centralizimi i universiteteve në duart e politikës ka arritur deri në skandalin ku studentëve të Tiranës u kërkohet të kenë konviktet në Durrës, një absurditet politik që abuzon me shpirtin studentor.
Në fund, Fuga përsërit mesazhin e tij: “Studentët kanë gjithmonë të drejtë! Kush dëshiron t’ja shpjegoj këtë, jam gati! Studentët si shtresë shoqërore nuk dhunojnë njeri, ndaj mos i bëni pis, ndaj larg duart nga sytë, nga trupi, nga shpina, nga kyçet e duarve të studentëve!”