Verilindja e vendit është përfshirë gjatë 24-orëve të fundit nga një seri tërmetesh me epiqendër në afërsi të qytetit të Bulqizës. Si pasojë e lëkundjeve sizmike janë raportuar se janë dëmtuar 16 banesa, ndërkohë që tek qytetarët u shkaktua një frikë e madhe.
https://www.youtube.com/embed/LP64WmPdIf0Bashkia e Bulqizës, përmes një postimi në facebook, ka shpërndarë disa instruksione se si duhet të veprojnë qytetarët në rastin e tërmeteve. Mes të tjerash manuali sugjeron shmangien e lëvizjes nga një dhomë në tjetrën, si dhe sugjeron mbrojtjen e qafës dhe kokës me duar, në rast se nuk ka afër një mobilje poshtë të cilës mund të fshiheni.
Njoftimi i Bashkisë Bulqizë
Të dashur bashkëqytetarë! Prej dy ditësh territori i bashkisë Bulqizë është tronditur nga disa tërmete të njëpasnjëshme.
Teksa janë shënuar disa dëme materiale, kryesisht në çarje të shtëpive në disa njësi dhe fshatra të ndryshme, fatmirësisht nuk ka humbje jete dhe dëmtime të rënda banesash ku të kërkohet evakuimi i banorëve.
Duke shpresuar që të mos kemi probleme më serioze, për çdo situatë problematike, ju ftojmë t’u drejtoheni administratorëve të njësive ku bëni pjesë, të cilët do të marrin menjëherë masat për t’ju ardhur në ndihmë.
Ndërkohë, lutemi që në situata rreziku të ndjekim disa nga masat e sugjeruara për mbrojtje nga tërmetet:
Uluni menjëherë në dysheme dhe mblidhni duart dhe krahët, përpara se tërmeti të ju rrëzojë.
Mbuloni kokën dhe qafën dhe të gjithë trupin nëse është e mundur, duke u ulur poshtë një tavoline apo poshtë ndonjë mobilie që nuk mund të rrëzohet mbi ju.
Nëse afër jush nuk ka asnjë mobilie mund të uleni dhe të mbuloni kokën dhe qafën pranë një muri të brendshëm.
Nëse ndërtesa juaj është ndërtesë e re, mos rrini pranë derës.
Mbahuni fort pas një mobilieje të rëndë.
Kur nisin lëkundjet gjëja më e mirë që duhet të bëni është të mos lëvizni nga njëra dhomë në tjetrën.
Shmangni padyshim, muret, pasqyrat, mobiliet e larta (dollapët) dhe objektet me shumë xham.
Në rast se jeni në krevat qëndroni aty pa lëvizur dhe mbrojeni kokën me jastëk.
Nëse jeni në karrocë, kyçni rrotat e saj dhe qëndroni në vend. Ndërkohë që kokën dhe qafën uleni dhe mbrojeni me duar.
Nëse jeni jashtë shtëpie, gjeni një vend të sigurt ku mos ketë afër pemë, ndërtesa, automjete, etj.
Nëse jeni në makinë, ndaloni.. ndizni bllokazhin, vetëm siguroheni që nuk keni parkuar poshtë ndonjë peme, apo në zona të tjera rreziku.
Në rast se ndodheni në ndërtesa të larta, qëndroni aty dhe mos përdorni ashensorët. Qëndroni sa më larg dritareve dhe zonave të tjera të rrezikut.