Tender i ri për mirëmbajtjen e rrugës Skuraj – Burrel, ARRSH pritet të shpallë fituesin
Në vend të një investimi të mirëfilltë për zgjidhjen njëherë e mirë të problemit të rrugës nacionale Skuraj – Burrel, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tender mirëmbajtje. Ashtu si tenderi i katër viteve më parë, janë mbi 11 milion euro që do të paguhen nga taksapaguesit shqiptar vetëm për të pastruar kanalet anësore dhe për të prerë bimësinë anash rrugës. Sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, janë hapur dy procedura për Lotin 2 të Kontratës B për mirëmbajtjen me performancë të akseve kryesore të rajonit qëndror – verilindor. Procedura e parë ka vlerën e 11 milion eurove ose 1.1 miliard lekëve. Këto para do t’i shkojnë kompanisë e cila për katër vite do të zbatojë kontratën B “Mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të Rajonit Qendror dhe Verilindor”. Por ajo që bie më shumë në sy në këtë procedurë është vlera e lartë e tenderit që do të mbikqyrë kompaninë që do të fitojë zbatimin e kontratës B të mirëmbajtjes me performancë të rajonit qendër – verilindje. Për këtë kompani është hapur procedura e konkurimit 550 mijë euro apo rreth 54 milion lekë të rinj. Tashmë mbetet për tu parë se cilat do të jenë kompanitë fituese si ajo e zbatimit të kontratës dhe ajo e mbikqyrjes së saj.