Temperaturat e larta, banorët e Matit dynden në lum
Prej disa ditësh vendi ynë është mbërhtyer nga temperatura të larta, ndërsa ditët e fundit kanë rritur ndjeshëm nevojën për freski. Qytetarët e Matit në të gjithë luginën e tij kanë zgjedhur t’i kalojnë orët e nxehtit në freskinë e lumit. Që nga Ura e fshatit Fshat në Bashkinë Klos, deri në hyrje të liqenit të Ulzës dhjetra e qindra qytetarë kalojnë orët e drekës në freskinë e ujit. Në shtratin e lumit nuk kanë zbritur vetëm të rinj që duan t’i largohen të nxehtit të qytetit të Burrelit, por edhe familjarë. Falë aksesit që ka në disa vende, shtrati i lumit pret banorë të shumtë çdo verë. Ndërkohë, mjekët dermatolog këshillojnë që të tregohet kujdes me ekspozimin në diell, sidomos në orët e pikut. Ata këshillojnë që këto orë të shmangen nga persona që vuajnë nga sëmundje kronike. Po ashtu, një rekomandim tjetër i mjekëve specialistë është përdorimi i kremrave mbrojtës në periudhën e ekspozimit në rrezet e diellit.