Rikthehen vjedhjet në Xibër, vidhet një biznes dhe një automjet
Banorët e fshatrave Shkallë e Xibër Murrize të Bashkisë së Klkosit që jetojnë përgjatë rrugës së Arbrit, vijojnë të bien pre e vjedhjeve. Pak muaj më parë në këtë zonë u vodhën targa automjetesh si dhe disa makina. Ndërkohë, kohët e fundit vjedhjet janë rikthyer. Fitim Hoxha, banor i fshatit Shkallë, denoncon se i është vjedhur automjeti dhe një biznes i vogël që ka, dhe që është jo shumë larg rrugës së Arbrit. Fitimi denoncon se vjedhja është bërë me datë 27 të muajit të kaluar, ndërsa deri tani nuk ka asnjë informacion me autorët apo të jetë gjetur automjeti. Nga ana tjetër, Hoxha thotë se institucionet e sigurisë duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim. Ai shton se me mjetin e tij mund të bëhen ngjarje kriminale, ndaj kërkon që të gjendet sa më parë. Banorët e fshatrave të Xibrit kanë kërkuar vazhdimisht më shumë patrullim nga policia e zonës në mënyrë që të shmangen vjedhje të tilla.