Mediat kanë zbardhur detaje nga takimi i kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët socialistë. Sipas burimeve, Rama ka kërkuar fokus dhe vëmendje maksimale mbi situatën e Covid-19 dhe për të gjitha shërbimet që ofrohen nga bashkitë.

Kreu i qeverisë ka kërkuar vigjilencë maksimale dhe kërkesë për të respektuar protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë mbi masat kundër koronavirusit. Gjithashtu, që të tregohen të kujdesshëm që të mos ketë rritje të numrit të të prekurve.

Rama i ka njohur kryetarët e bashkive edhe me situatën mbi Reformën Zgjedhore. Kryebashkiakët janë vënë në dijeni të qëndrimit të kryesocialistit për ndryshimet në Kod. “Ne kemi një marrëveshje të ndërmjetësuar me ndërkombëtarët dhe me opozitën jashtëparlamentare. Tani duhet të vazhdojmë dialogun me opozitën brenda Parlamentit. Qëndrimin tim personal për listat e kam bërë publik edhe më parë, por mbetet për diskutim. Për zgjedhjet e vetme që ne diskutojmë, janë 4 bashkitë që nuk kanë kryetar. Dekretet e Presidentit janë vetëm për këto zgjedhje të parakohshme. Pjesa tjetër, në 2023”, është shprehur Rama.

Në takimin me Ramën ishin rreth 30 kryebashkiakë, ndërsa në takimin e orës 14:00 pritet pjesa tjetër e të zgjedhurve vendorë.

Burimi: A2