Hapet “drita jeshile” për rikonstruksionin e përgjithshëm të godinës së Shkollës së Mesme të Bashkuar “Haxhi Lata”, në Suç.
Ka qenë një akt-ekspertizë e Institutit të Ndërtimit në Tiranë që e konsideroi këtë objekt shkollor si të rrezikshëm, që në qershor të vitit 2020, afro 7 muaj pas tërmetit të vitit 2019. Jo vetëm protestat e komunitetit të Suçit, por edhe Bashkia Klos kanë kërkuar vazhdimisht financimin apo rikonstruksionin e këtij objekti shkollor duke marrë pjesë në dy thirrje të hapura nga Ministria e Arsimit që prej gushtit të vitit 2018.
Më në fund, këto kërkesa kanë gjetur zbatim. Burime pranë Bashkisë Klos bëjnë me dije se godinës shkollore në Suç do t’i bëhet një rikonstruksion i plotë, si dhe pranë saj do të ndërtohet edhe një palestër me parametra bashkëkohore. Fondi total i këtij investimi është rreth 850 milionë lekë me gjithë TVSH. Nga data e fillimit të punimeve, afati i përfundimit do të jetë 6 muaj. Ndërkohë që për pak ditë pritet të shpallet fituesi i tenderit të këtyre punimeve.
Gjatë këtyre viteve që shkolla e Suçit ka qenë e kyçur, nxënësit e saj janë zhvendosur për të zhvilluar procesin mësimor në institucione të tjera arsimore, larg vendbanimit të tyre. Ndaj rikonstruksioni i godinës së Shkollës së Mesme të Bashkuar “Haxhi Lata”, në Suç, është një lajm i shumëpritur jo vetëm për nxënësit e mësuesit e kësaj shkolle por edhe për komunitetin e prindërve.