Dhjetëra ish të burgosur në kampin e Burgut të Bulqizë-s, që ndërruan jetë në rrugë natyrale ose për shkak të aksidenteve gjatë punës së detyruar në minierë, nuk u gjenden varret. Një numër i konsiderueshëm të burgosurish “ordinerë”, të dënuar nga regjimi komunist i kohës me punë të detyruar në minierën e Bulqizës, që vdiqën gjatë vuajtjes së dënimit, u varrosën në afërsi të burgut, pa as më të voglën mundësi identifikimi të varreve të tyre.

Inxhinieri gjeolog në minierën e Bulqizës, Jorgo Kola, që punoi 32 vjet në galeritë e kësaj miniere, tregon se kampi i të burgosurve i hapur në vitet ‘50, me punën e detyruar të të burgosurve të tij, ndikoi fuqishëm në rritjen e prodhimit të nxjerrjes së kromit. “Por, përkrah këtij kontributi të vyer që jepnin me punën e tyre të burgosurit, qëndrimi i zyrtarëve të regjimit komunist ndaj tyre ishte dhe mbeti tejet çnjerëzor”, thotë inxhinieri.

“Të paktën 40 deri në 50 persona të burgosur në këtë burg – vazhdon të tregojë ai – të cilët vdiqën në rrugë natyrale ose aksidentalisht, varroseshin në afërsi të burgut gjatë natës në kushte misterioze dhe fshehtësi të plotë, larg syrit të njerëzve dhe të afërmit e tyre as që njoftoheshin, por e merrnin vesh kur vinin për t‘u takuar me ta”. tregon Kola.

Puna ndër vite në galeritë e minierës, bëri që këta varre të mbuloheshin me sterile kromi, ku aktualisht pak gjurmë të këtyre varreve, për të mos thënë fare, mund të dallohen. Ndërkohë, ka pasur raste kur vdekjet e të burgosurve kanë ardhur edhe aksidentalisht, nga puna në galeritë e kromit. “Në një aksident të ndodhur në zonën jugore të minierës – kujton inxhinieri Jorgo Kola – nga zjarri i rënë në një nga galeritë e thella të kësaj zone, humbën jetën 11 të burgosur që u dogjën nga flakët apo u asfiksuan nga tymi. Por nuk u lejua që trupat t‘u jepeshin familjeve të tyre për t‘i varrosur”.

Sipas Kolës, i vetmi ndryshim në varrosjen e këtyre 11 të burgosurve ishte se u lejua varrosja e tyre në varrezat e qytetit të Bulqizës. Në fillim të viteve ‘90 shumë familjarë dhe të afërm të të burgosurve të regjimit komunist, që vdiqën gjatë vuajtjes së dënimit në Burgun e Bulqizës, kanë ardhur në qytezën e minatorëve për t‘u interesuar për gjetjen e varreve të të afërmve të tyre. Por, në asnjë rast një gjë e tillë nuk është mundësuar, pasi sterili i mineralit ka zhdukur përfundimisht çdo gjurmë të tyre.

Kërkimet e familjarëve vazhdojnë edhe sot. Në verën e vitit të kaluar, tregon inxhinier Jorgoja, erdhi një djalë emigrant në Angli që kërkonte varrin e babait të tij. Vetëm sa e çova te zona e varreve, ku edhe ai vetë, thotë inxhinieri, u bind se gjetja dhe identifikimi i varrit të babait të tij ishte e pamundur.

“Pavarësisht krimeve që mund të kishin kryer, edhe ata ishin njerëz, dhe të paktën pas vdekjes e meritonin të kishin një varr si të gjithë njerëzit e tjerë”, thotë inxhinieri Kola, i cili i ka njohur shumë nga këta të burgosur të mbetur pa varr, pasi për dekada me radhë ka drejtuar punimet në galeritë e minierës së Bulqizës.

Nga Sami Curri Bulqiza ime