Prej vitesh organizimet sindikaliste të nëntokës kanë kërkuar në emër të punëtorëve të miratohet statusi i minatorit i cili do t’i jepte këtij të fundit kushte pune më të sigurta, paga më të larta, siguri për vendin e punës, moshë pensioni më të ulët, pension dinjitoz, trajtim mjekësor, etj. Por siduket sindikatat që flisnin në emër të minatorëve duke iu bërë presion qeverive, nuk e kanë më këtë hall ndërsa minatorët kanë mbetur me të njëjtat probleme, për të mos thënë që ju janë shtuar. Protesta e fundit e organizuar nga sindikatat me minatorët e Bulqizës ka qenë në vitin 2018, ndërsa prej më shumë se dy vitesh nuk është zhvilluar më asnjë e tillë.
Minatorët vijojnë punën në kushtet e mëparshme, madje duke mos patur as guximin për të ngritur zërin për të drejtat e tyre. Një vit më parë në Bulqizë u shfaq një sindikatë e re, ajo e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Organizimet në formë proteste edhe të kësaj sindikate u shuan, ndërsa drejtuesit e saj u pushuan nga puna.
Megjithatë, kjo sindikatë duket të jetë më aktive, të paktën në reagimet që bën në median elektronike, por sërish reagimi i kësaj kategorie në formën e protestës mbetet i vakët. Në këto kushte, çdo qeveri vjen me premtimin e miratimit të statusit të minatorit dhe ikën pas tetë vitesh pa bërë asgjë.