Shkrim nga ARTAN KURTI,

Ish-drejtues i ish-grupit botues të revistës “Emathia”

Me hidhërim të thellë përjetuam lajmin e ndarjes nga jeta të, babë e bir, Zenel Gjonit-mësues e studjues i përkushtuar i trashëgimisë shpirtërore e materiale të trevës së Martaneshit dhe djalit të tij Jashar Gjoni-sipërmarrës në sferën mineral-nxjerrëse, mbështetës i veprimtarive në dobi të trashëgimisë dhe kulturës së trevës së Martaneshit dhe institucioneve të besimit Bektashian.Zenel Gjoni ishte frymëzues e nxitës i punës sonë dhe bashkëpunëtor i revistës “Emathia” në jetëgjatësinë e saj (1 janar 2007-31 dhjetor 2016), me artikuj studimor. Po ashtu, edhe djali i tij, Jashar Gjoni, ishte një dashamirës i punës sonë dhe mbështetës i veprimtarive promovuese dhe vlerësuese të figurave me kontribute në fushën kërkimore e studimore të trashëgimisë etnokulturore.Me largimin e parakohshëm të tyre, ata do t’u mungojnë jo vetëm familjarëve dhe të afërmve të tyre, por edhe komunitetit që i përkisnin, miqve e shokëve të shumtë dhe ne, që bashkëudhëtuam (për një farë kohe) në rrugën e ruajtjes dhe mbajtjes gjallë të kujtesës historike-kulturore të trevës së Matit (bashkë me Martaneshin).

ZENEL FETAH GJONI u lind më 15 maj 1941 në Martanesh, ku baroi me rezultate shumë të mira shkollën 7-vjeçare, ndërsa shkollën e mesme pedagogjike, po me rezultate të shkëlqyera, e mbaroi në vitin 1961. Studimet e larta i përfundoi në Tiranë për bio-kimi. Punoi mësues 15 vjet në shkollën 7 e 8-vjeçare “Baba Faja” në Peshk, ndërsa 25 vite në Shkollën e Mesme të Bashkuar Krastë. Ai ishte i suksesshëm edhe si drejtor shkolle dhe drejtor në zonën e Martaneshit dhe në administratën e komunës Martanesh.- Në vitin 2004, për kontributin e dhënë në fushën e arsimit, kulturës dhe edukimit, Presidenti i Republikës e ka dekoruara me Urdhërin “Naim Frashëri”. Që në shkollën e mesme është shquar me shkrime në gazetat dhe revistat e kohës, gjë e ka vazhduar me shumë përkushtim edhe gjatë kohës si mësues.Pas daljes në pension, në vitin 2002, vazhdoi të ketë një jetë aktive me kontribute shoqërore e intelektuale. Në këtë kohë u mor me sistemimin e punës shumëvjeçare studimore dhe doli para lexuesit me një seri të pëlqyer botimesh, me tematikë kryesisht nga treva e Martaneshit.-

Në vitin 2011 botoi librin “DY TRËNDAFILA BEKTASHINJË NGA MARTANESHI” i cili, ndonëse në dukje të titullit jep përshtypjen e një libri fetar, në të vërtetë bënë fjalë për dy figura të shquara patriotike, atdhetare, arsim e lidashëse martaneshase, hafëz Baba Hysen Mali (Rama) dhe haxhi Baba Selman Grrica.- Në vitin 2012 doli në qarkullim libri i tij voluminoz “FISI GJONI NË MARTANESH”, i vlerësuar nga kritika letrare dhe shumica e lexuesve si një enciklopedi e trevës së Martaneshit e më gjërë. Me të drejtë thuhet se është libër universal, sepse brenda ka histori, arkeologji, etnografi, gjeografi, biologji, florë, faunë, religjon, art, kulturë, doke, zakone e tradita, toponimì etj.- Librin me vlerë të madhe “ARSIMI NË MARTANESH” e botoi në vitin 2012 dhe nisur nga kërkesat e shumta e ribotoi me përmirësime.- Në vitin 2013 botoi librat “TREGIME ME DHIMBJE DHE COPËZA NGA JETA” dhe “TREGIME ME DHIMBJE”.- Në vitin 2015 botoi “TEQEJA E MARTANESHIT” dhe monografitë e jetës personale të patriotëve “HYSEN MALI E SELMAN GRRICA”. Zenel Gjoni ka qenë aktiv me shkrime dhe artikuj të ndryshëm në shtypin e përditshëm dhe atë periodik. Ai ishte mik i revistës “Emathia”, bashkpunëtor dhe autor i disa shkrimeve me vlerë. Të tillë vlen të përmenden artikujt: “VESHJE TRADICIONALE NË KRAHINËN E MARTANESHIT”, (“Emathia” Nr. 1/2014+; “29 QERSHORI PELEGRINAZH BESIMI, PËRKUJTESË ATDHEDASHURIE”, (“Emathia” Nr. 2/2014); “KONTRIBUTI INTELEKTUAL MATJAN NË KRAHINËN E MARTANESHIT”, (“Emathia” Nr. 1/2015); “BABA FAJA MARTANESHI (MUSTAFA XHANI)”. (“Emathia” Nr. 1/2016).Për kontributin e dhënë me shkrimet studimore, Zenel Gjoni, është vlerësuar me “Penda Budi” (2015), nga grupi botues i revistës “Emathia”.

49Afrim Vani and 48 others35 Comments4 Shares