Skema e mashtrimit e fondacionit “Besa” që bazohej në kredidhënie fiktive, rezulton të ketë prekur mbi 800 persona, të cilët janë kredimarrës dhe klientë. Detajet kanë dalë pas arrestimit të drejtoreshës së filialit të fondacionit, Albana Imamit.

Në vitin 2014, Imami figuronte të kishte vetëm 0.1% kapital në fondacion, që përllogaritet në shumën e rreth 11 milionë lekëve të vjetra. Shuma e përfituar nga kjo skemë mashtrimi është afro 3.7 milionë euro.

Si pjesë e stafit të një fondacioni për dhënie kredish fiktive në Tiranë me qëllim përfitimin, mesditën e të martës u shpërbë grupi i strukturuar prej 8 personash, 7 prej të cilëve ranë në pranga, ndërsa 1 tjetër është shpallur në kërkim.

Klientët që kanë përfituar kreditë, paraqiteshin në zyrat e fondacionit vetëm në momentin që disbursohej kredia, për të bërë tërheqjen e parave në bank. Këta persona përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë, ndërsa pjesa tjetër merrej nga Drejtoresha e degës, Oficeret e Kredisë dhe Sekserët që siguronin klientët. Në përfundim të këtij procesi, Drejtoresha e degës lëshonte një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti.

Mbi 8 personat rëndojnë akuzat e skemës mashtruese dhe piramidale, si dhe vjedhja duke shpërdoruar detyrën. Kjo skemë mashtrimi është kuptuar nga drejtuesit e fondacionit, të cilët kanë bërë kallëzim në policinë e Tiranës.