Gjyqtari Edvan Veçani i Gjykatës së Dibrës do të përballet të mërkurën më 26 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Genta Tafa Bungo dhe Lulzim Hamitaj.

Edvan Veçani përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2012 dhe kreu stazhin profesional në Gjykatën e Rrethit Tiranë. Prej vitit 2013, Veçani e ushtron funksionin e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga gjyqtari Edvan Veçani nga viti 2011 deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtari Edvan Veçani.

Në deklarimin për të herë të parë në vitin 2011, gjyqtari Edvan Veçani zotëronte pasuri me vlerë rreth 930 mijë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare kap vlerën e 1 milion lekëve.

Ai zotëron familjarisht dy automjete me vlerë 1 milion lekë dhe likujditete bankare prej 177 lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 8.8 milionë lekë, nga të cilat 92% kanë si burim pagën e subjektit dhe gati 6% pagën e bashkëshortes.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 8 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” marrjen e kredive bankare për blerjen e një apartamenti për prindërit.

Subjekti Edvan Veçani  deklaron në vitin 2013 kredi bankare të marrë nga prindërit në vlerë 80,000 euro, e cila shlyhet gjithashtu nga prindërit. Ndërsa në vitin 2018 deklaron se  është dorezanës në kredinë e marrë nga vëllai në vlerë  98’000 euro , kredi e cila shërben për shlyerjen e kredisë së mëparshme të prindërve dhe blerje apartamenti në vlerë 70,000 euro në emër të këtyre të fundit.