Mund të quhet skandaloze por edhe e tmerrshme pamja në vendin e quajtur “Qaf Dushk” pjesë e rrugës nacionale Klos – Bulqizë në fshatin Kloskatund.
Rreth 20 qen të ngordhur janë hedhur pak metra larg rrugës nacionale ku kalojnë me qindra automjete në ditë. Kafshët e ngordhura janë qen ku mes tyre ka edhe këlysh. Nuk dihet se sa ditë kanë ato aty, por që në zonë është përhapur një aromë e tmerrshme. Banorët e zonës shprehen se nuk e kanë parë atë që i ka hedhur qent e ngordhur, por që janë kthyer në burim infeksioni, sidomos për fëmijët e vegjël që luajnë andej rrotull. Banorët kërkojnë që të merren masa të menjëhershme dhe të largohen kafshët e ngordhura nga aty.
Ende nuk dihet nëse qent janë vrarë qëllimisht dhe janë hedhur aty, apo është shfaqur ndonjë sëmundje që ka shkaktuar ngordhjen e tyre. Ndërkohë shoqatat për mbrojtjen e kafshëve duhet të reagojnë fuqishëm për këtë akt makabër.