“Situata tepër e rrezikshme”, zjarret përhapen në Mirditë – Melyshi: Dyshojmë për zjarrvënie të qëllimshme
Situata e zjarreve në bashkinë Mirditë vijon të jetë serioze dhe e rrezikshme, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara edhe nga era. Kryetari i Bashkisë Mirditë, Alber Melyshi, tha se fshati Tenë është ndër zonat më të prekura, ku janë kryer edhe evakuimet e para të banorëve. Sipas tij, deri tani nuk raportohet për dëme në banesa apo në njerëz, ndërsa në dy lagje është bërë evakuimi i banorëve për shkak të rrezikut nga zjarri. Melyshi e cilësoi situatën si një ndër më të rrezikshmet e përballuara në bashkinë Mirditë, duke theksuar se ndërhyrja është vështirësuar nga terreni dhe era. Kryebashkiaku ngriti gjithashtu dyshime se disa prej zjarreve mund të jenë të qëllimshme. Ai tha se brenda këtij viti shërbimet kanë ndërhyrë disa herë për shuarjen e vatrave të zjarrit dhe kërkoi nga autoritetet që rastet të hetohen dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. “Duket se në disa raste janë zjarrvënie të qëllimshme, sepse brenda vitit kemi ndërhyrë disa herë dhe i kemi shuar. Duket se ka një dorë që do t’i djegë pyjet”, u shpreh Melyshi. Ndërkohë, në terren vijon puna e forcave zjarrfikëse, të përforcuara edhe me mjete shtesë, me qëllim izolimin dhe shuarjen e flakëve.