Situata nga reshjet në Dibër/ Prefekti Shehu : Rrugët nacionale të kalueshme

0
5

Prefekt i Dibrës, Nexhbedin Shehu tha sot për ATSH se “gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut me intensitet të lartë e mesatar të cilat vazhdojnë edhe sot, ndërsa në disa njësi ka edhe reshje bore”.

Shehu thekson se të gjitha strukturat në të katër bashkitë, janë në gatishmëri për ndjekjen e situatës nga reshjet, ndërsa rrugët nacionale janë të kalueshme dhe pa probleme.

Ai tha se në disa Njësi Administrative ka probleme në zonat rurale për shkak të rrëshqitjes së dherave, por po punohet për hapjen e rrugëve.

“Rrugët nacionale janë të qarkullueshme pa probleme, përveç segmentit Muhurr-Reç në segmentin Lashkizë-Zalldardhë, rruga është e bllokuar nga prurjet e përroit malor, por po punohet nga operatorët kontraktor për ta mbajtur rrugën të kalueshme”, tha ai për ATSH.

Po ashtu, Shehu shtoi se akset rurale në nivel qarku janë të kalueshme, përveç rrugës Xibër-Klos ku ka vështirësi nga bora.

“Rruga nga fshati Dohoshisht-Luzni bashkia Dibër e dëmtuar nga rrëshqitje dherash. Rruga Ura e Matit-Urakë e bllokuar nga rrëshqitje dherash e balte. Kemi furnizim  me energji elektrike, përveç  Njësisë Administrative Martanesh, Trebisht, bashkia Bulqizë, Gurrë bashkia Klos, Reç e Lurë bashkia Dibër. Nga grupet e OSSHE po punohet në terren për kthimin e energjisë në këto Njësi”, tha Shehu për ATSH.