Ndonëse nga raportimi i Ministrisë së Shëndetësisë këtë të enjte Qarku Dibër nuk shënoi të infektuar të rinj me koronavirus, ai vijon të mbetet një vatër e prekur me 39 raste aktive. 

Nisur nga statistikat Qarku i Dibrës vijon të jetë i parafundit përsa i përket numrit të tê infektuarve me Covid-19 ndër qarqet e tjera të Shqipërisë.

39 raste aktive janë në të katër bashkitë e këtij Qarku ku pjesa më e madhe e këtyre rasteve janë në Dibër e Klos.

Burime pranë Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor në 3 rrethet Mat, Bulqizë e Dibër bëjnë të ditur se të gjitha rastet po monitorohen nga mjekët e familjes ndërsa vijon hetimi epidemiologjik tek kontaktet e të infektuarve.

Numrin më të madh të të infektuarve e mban Dibra me 16 raste aktive. 

Në Bashkinë Klos aktualisht janë 14 raste aktive të cilat të shpërndara në  qytet, dhe në Njësitë Administrative Xibër, Suç etj. Në këtë njësi po ritestohen të infektuarit e 2 javëve më parë që ishin nga personeli shëndetësor.

Ndërkohë rastet e tjera janë në bashkitë Mat e Bulqizë. 

Edhe në bashkinë Mat vijon hetimi epidemiologjik tek kontaktet e të infektuarve por edhe tek persona që kanë raportuar shenjat e Covid-19.

Numri i viktimave të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë të prekur nga Covid-19 në Qarkun Dibër vijon të mbetet 2.

Institucionet shëndetësore vijojnë të bëjnë apel për kujdes. Përdorimi i maskave në ambjente të mbyllura apo të grumbulluara ku është e pamundur mbajtja e distancës fizike, larja shpesh e duarve apo dezinfektimi i tyre janë këshillat e mjekëve për tu mbrojtur nga koronavirusi.