Procesionarja apo e njhohur ndryshe si krimbi i pishës vijon të jetë banore periiodike e masiveve pyjore me pishë të zezë në vendin tonë. Lufta që i shpallën autoritetet 7 vite më parë, tashmë mund të thuhet se ka dështuar pasi ky dëmtues i pishës, vijon të jetë prezentë dhe me sasi të madhe në të gjithë masivet pyjore me pishë të zezë në vendin tonë.
Ky që shihni është masivi pyjor me pishë në afërsi të fshatit Plan i Bardh në Bashkinë e Klosit. E favorizuar edhe nga temperaturat e larta të pak ditëve më parë, procesionarja ka nisur zbritjen nga foleja. Në shumë degë shihet se ajo e ka çarë strehëzën e saj dhe se po i drejtohet tokës për të kaluar një tjetër cikël jetësor.
Pushtimi i pishës nga ky dëmtues ka qenë i pashmangshëm nga autoritetet e kryesisht nga Ministria e Bujqësisë e cila pak vite më parë nisi të ndërhyjë me metodën mekanike, atë të prerjes së degëve të infektuara dhe më pas djegien e tyre. Por në atë nismë u përfshi një sipërfaqe shumë e vogël e masiveve pyjore me pishë në vendin tonë, duke e bërë aksionin të papërfillshëm e për pasojë, procesionarja nis të shtohej akoma më shumë.