Shuhet vatra e zjarrit në Lundre, nisin hetimet për zjarrvënie të qëllimshme

Shuhet vatra e zjarrit në Lundre, nisin hetimet për zjarrvënie të qëllimshme

Pasditen e së enjtes është bërë i mundur izolimi totalisht i vatrës së zjarrit në masivin pyjor në fshatin Lundre të Njësisë Administrative Ulzës në Bashkinë e Matit. Specialist të shërbimit pyjor, të shërbimit zjarrfikës dhe administratës së njësisë administrative Ulëz luftuan më shumë se 24 orë me flakët që kishin përfshirë masivin me dushqe e shkurre në këtë zonë, kryesisht lis, shqopë e dëllinjë. Terreni i thyer malor dhe era e fortë e vështirësoi operacionin ku më në fund është arritur që bashkë me forcat e armatosura të vihet nën kontroll të plotë dhe të shuhet si vatër zjarri e gjitha. Për këtë vatër zjarri do të bëhen bilancet ekonomike të dëmit të shkaktuar nga flakët ndërsa policia pritet të nisë hetimet për zjarrvënie të qëllimshme. Kjo nuk është hera e parë që kjo zonë digjet nga zjarret, pasi edhe vitet e kaluara është përballur me situata të tilla, ndërsa dëmi ekonomik mbetet shumë i madh. Autoritetet vendore dhe ato të mbrojtjes civile bëjnë apel për kujdes të shtuar të banorëve që të mos bëhen shkak për ndezjen e zjarreve me apo pa dashje pasi do të përballen me dispozitat ligjore në fuqi për të tilla raste.