"Shqipëria në zjarr"/ Në Mat asnjë vatër aktive

"Shqipëria në zjarr"/ Në Mat asnjë vatër aktive

Ndërsa Shqipëria nga Veriu në Jug, prej më shumë se një jave, është në luftë me zjarret, në bashkinë Mat nuk ka asnjë vatër zjarri aktive. Rasti më i fundëm ishte rënia e një zjarr masiv të dielën në fshatin Zallë Shoshaj, Njësia Administrative Komsi, por që zjarrëfikësit dhe punonjësit e Bashkisë Mat kanë bërë të mundur shuarjen në kohë të tij. Në këtë aksion u angazhuan dhjetra punonjës të emergjencave civile të bashkisë Mat, dy zjarrëfikse dhe një bot uji, të cilët ndalën flakët që do të digjnin dhjetra banesa, pasi ndodheshin shumë afër njëra-tjetrës. Në aksion u përfshinë edhe banorë të zonës.

Në harkun kohor të këtyre javëve të nxehta vere Shtabi i Emergjencave Civile në Bashkinë Mat është përballur dhe ka bërë të mundur shuarjen në kohë të vartave të zjarrit në 3 raste në Komsi, si dhe në Lis apo në vendin e quajtur “Pularia”. Por falë një koordinimi dhe bashkëpunimi të mirë mes disa sektorëve si Sektori i Zjarrfikësve, Emergjencat Civile në Bashki, Policia e Rendit, Zyra e Bujqësisë, Administratorët e Njësive Vendore, deri në qelizë kryetarët e Njësive Vendore, është realizuar me efektivitet të lartë njoftimi në kohë i vatrave të zjarrit dhe angazhimi për shuarjen e tyre, duke bërë që edhe sipërfaqet e djegura të jenë minimale.

Por në këto zjarrvënie me apo pa qëllim dukshëm është edhe dora e njeriut. Ndaj zyrtarë të Bashkisë Mat u bënë thirrje strukturave të shtetit të zbulojnë dhe arrestojnë në kohë zjarrvënësit, pasi po shkaktojnë dëme dhe panik te qytetarët.