Një operacion i vështirë është zhvilluar ditën e enjte nga Forcat e Armatosura dhe ato të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile në malin e Korabit në Dibër. Tre banorë dhe rreth 30 kuaj kishin mbetur të bllokuar në bjeshkën e Korabit, në një lartësi prej 2100 metra mbi nivelin e detit.
Prania e dëborës dhe moti shumë i ashpër e kishin bërë të pamundur rikthimin në banesë të banorëve të mbetur aty bashkë me 30 krerë kuaj.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes tha se koordinimi mes strukturave të Mbrojtjes Civile në nivel vendor, të mbështetura nga Forcat e Armatosura, rezultoi i suksesshëm duke iu ardhur në ndihmë banorëve në kushte shumë të vështira për shkak të temperaturave të ulëta, mjegullës së dendur dhe borës që arrinte deri në 40 cm.
Në operacion morën pjesë 19 forca dhe 3 mjete nga Batalioni i Tretë i Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, të cilët finalizuan me sukses misionin në rreth 2100 metra lartësi.
Apeli i tre banorëve për ndihmë kishte ardhur që mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa operacioni për evakuimin e tyre nga Mali i Korabit është zhvilluar i plotë gjatë ditës së enjte.