SHPALLET PROKURIMI PËR “EMERGJENCË, MASA INXHINIERIKE - UNAZA BURREL”

SHPALLET PROKURIMI PËR “EMERGJENCË, MASA INXHINIERIKE - UNAZA BURREL”

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tjetër procedurë për riparimin e dëmtimeve që ka pësuar unaza e poshtme e qytetit të Burrelit. Ky segment rrugor do tu shërbejë jo vetëm banorëve që jetojnë përgjatë saj, por edhe atyre që duan të shmangin hyrjen në qytetin e Burrelit teksa lëvizin në drejtim të Milotit apo Klosit. Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Agjensisë së Prokurimit Publik bëhet fjalë për projektin “Emergjencë, masa inxhinierike unaza Burrel”. Ky projekt synon riparimin e shembjeve që kishte pësuar rruga që në momentin e përfundimit të saj në fund të vitit të kaluar. Ekspertët e ARRSH kanë vlerësuar se për një qëndrueshmëri në të ardhmen duhen ndërtuar pilotë në një gjatësi afro 300 metra lineare për shkak të formacionit të paqëndrueshëm të tokës. Tenderi me vlerë afro 90.3 milion lekë të rinj, është hapur me datë 7 Korrik dhe pritet të mbyllet me datë 24 Korrik, ku do të shpallet më pas edhe fituesi i zbatimit të projektit. Kohëzgjatja e zbatimit të projektit do të jetë 6 muaj e 10 ditë që nga momenti i nënshkrimit të kontratës mes ARRSH dhe kompanisë apo kompanive fituese. Sipas kohës së përcaktuar në këtë prokurim publik, projekti emergjent në unazën e poshtme e qytetit të Burrelit duhet të ketë përfunduar deri në fund të Janarit të vitit të ardhshëm.