Shirat e pak ditëve më parë, dëmtojnë grurin në luginën e Matit
Pak ditë më parë vendi ynë u përfshi nga reshje të dendura shiu duke krijuar problematika të ndryshme. Megjithëse dëmet nuk ishin shumë të mëdha si në disa rrethe të tjera të vendit tonë, sektori i bujqësisë, kryesisht të mbjellat stinore pësuan dëme. Shumë parcela gruri në luginën e Matit u dëmtuan si pasojë e erës së fortë dhe reshjeve intensive. Jashtë kameras, fermerët thonë se pasojat e shiut nuk pritet të jenë shumë të mëdha sa i përket rendimentit në prodhim. Problemi që është krijuar me rrëzimin e grurit është koha e zgjatur e pjekjes së tij, megjithatë, ata shpresojnë që të marrin rendimentin e pritshëm ashtu si vitet e kaluara. Një nga problemet më të mëdha qme të cilën vazhdojnë të përballen të gjithë fermerët që kultivojnë grurë, është prania e barërave të këqinj të cilët ndikojnë direkt në cilësinë dhe sasinë e prodhimit vjetor. Por një tjetër problem që është shkaktuar nga shirat e pak ditëve më parë është në kanalet vaditëse, ku janë dëmtuar shumë prej tyre dhe po punohet ende për t’i rikthyer në gjendje funksionale.