Një masiv shkëmbi është shembur mëngjesin e kësaj të mërkure në aksin rrugor Burrel – Klos, duke rrezikuar automjetet që lëvizin në orët e mëngjesit.
Masivi shkëmbor është shembur në vendin e quajtur “Shkëmbi i kuq” në fshatin Suç. Fatmirësisht në momentin e shembjes së shkëmbit në rrugë nuk ka patur automjete duke lëvizur.
Për më shumë se dy orë automjetet kanë qarkulluar në njërin kah lëvizjeje. Drejtuesit e automjeteve shprehen se prej 3 muajsh ky aks rrugor nuk po mirëmbahet, pasi nuk ka patur asnjë ndërhyrje për pastrimin e kanaleve kulluese apo shërbime të tjera.
Ndërkohë pas dy orësh firma e cila ka fituar tenderin e mirëmbajtjes së rrugës bëri pastrimin e gurëve në asfalt, ndërsa qarkullimi u monitorua nga policia rrugore, për shkak se masivi shkëmbor ishte në një zonë të rrezikshme dhe mund të bëhej shkak për aksidente.
Shembje gurësh ka patur vazhdimisht edhe në aksin e Shkopetit e po ashtu edhe në aksin Klos – Qaf Buall.