Policia Rrugore e Dibrës ka shtuar kontrollet për rritjen e sigurisë rrugore në të gjithë Qarkun Dibër. Sipas një deklarate për mediat përgjatë 20 ditëve të para të muajit Qershor, nuk është evidentuar asnjë aksident rrugor me pasoja në njerëz.
Si rezultat i shtimit të kontrolleve për rritjen e forcës parandaluese dhe ndëshkuese nga ana e Policisë Rrugore me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, të cilët kanë denoncuar shkeljet e konstatuara, nga data 01-20 qershor, shërbimet e Policisë Rrugore kanë arrestuar 3 drejtues mjetesh, për “Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur” si dhe kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë 5 shtetas të tjerë të cilët janë konstatuar duke drejtuar mjetet pa u pajisur me leje drejtimi.
Efektivët e rrugores kanë pezulluar 17 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, shpejtësi mbi normën e lejuar, lëvizje me mjet në sens të kundërt dhe mosrregullim i shpejtësisë në qendër të banuar. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë vendosur 864 masa administrative për rripin e sigurimit, parakalime të gabuara, përdorim të aparateve telefonike, përdorim të pijeve alkoolike, për mosdhënie përparësie këmbësorëve, për manovra të gabuara etj.
Policia Rrugore e Dibrës apelon për drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm.