Megjithëse është bërë vazhdimisht problem mediatik gjendja e aksit nacionale Burrel – Skuraj deri tani nuk është marrë asnjë masë. Aksi është lënë totalisht në mëshirë të fatit që prej datës 31 Mars të këtij viti. As shpallja e kompanisë fituese të tenderit 4 vjeçar nuk e ka ndryshuar gjendjen e rrugës e cila vijon të jetë e mbushur me gropa kudo, të ketë mungesë fushëpamjeje për shkak të rritjes së bimësisë, apo mungesë të sinjalistikës. Segmenti më problematik sa i përket gropave mbetet ai nga Ura e Ulzës deri në qytetin e Burrelit. Drejtuesit e mjeteve që e përdorin këtë rrugë shprehen se autoritetet duhet të ndërhyjnë dhe t’i kërkojnë firmës fituese të mirmbajtjes të zbresë në terren dhe të bëjë detyrën e saj. Sipas tyre, ndërtimi i rrugës së Arbrit nuk e ka ulur fluksin e automjeteve që vijojnë të përdorin këtë rrugë nacionale për të lëvizur drejt Durrësit, Kurbinit, Lezhës, Shkodrës apo Kosovës:
36 kilometrat e rrugës Burrel – Skuraj janë kthyer në kilometrat më të pasigurta të të gjithë aksit Skuraj – Peshkopi.