Rruga nacionale Burrel – Skuraj vijon të jetë makthi i drejtuesve të mjeteve që përdorin këtë aks rrugor. Më problematike situata paraqitet në segmentin nga Burreli e deri tek Ura e Ulzës, për shkak të pranisë së madhe të gropave. Ndërkohë, në fshatin Bushkash, rruga është gati e pakalueshme për mjetet e vogëla për shkak të gropave të mëdha.
Drejtuesit e mjeteve shprehen se një situatë e tillë zgjat prej afro një viti e askush nuk ka marrë masa për riparimin e dëmtimeve, ndonëse herë pas here gropat mbushen me dhe apo zhavor, situata sërisht mbetet e njëjtë. Ata i bëjnë thirrje të gjitha instancave shtetërore, të marrin masa të menjëhershme për rregullimin e rruugës pasi janë taksapagues të rregullt jo vetëm për mjetet e tyre, por edhe si qytetar.
Ky aks rrugor përdoret nga rreth 240 mijë banorë të qarkut Dibër, pa llogaritur këtu edhe fqinjët e Maqedonisë së Veriut të cilët gjatë stinës së verës i drejtohen plazheve të veriut.