Ndonëse aksi rrugor Qaf Bualli- Krastë e Martaneshit është nën varësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ende nuk ka një mirëmbajtjës, edhe pse jemi në stinën kur është më shumë e nevojshme. Gropat e hapura në të gjithë gjatësinë e kësaj rruge po bëhen pengesë për qarkullimin e mjeteve, e në disa vende janë edhe rrezik për aksidente. Kontrata për mirëmbajtjen e kësaj rruge ka përfunduar që në muajin Gusht të këtij viti, ndërsa ende nuk dihet nëse tenderin e ri për dy vitet e ardhshme e ka fituar ndonjë firmë. Vetë drejtuesit e mjeteve shprehen se prej kohësh nuk shohin të mirëmbahet kjo rrugë, ndonëse tani e tutje ka më shumë nevojë se kurrë, pasi nisin ngricat e rreziku për aksidente shtohet akoma më shumë.
Rruga Qaf Bualli – Krastë u shërben mijëra banorëve të Njësisë Administrative Martanesh si dhe shumë subjekteve minerare që punojnë në këtë zonë. Mungesa e investimeve që kur është ndërtuar ka bërë që në të të shënohen shumë aksidente.