Rruga e fshatit Fshat, u riparua, por nuk u asfaltua
Pak muaj më parë kjo pjesë e rrugës në fshatin Fshat, që lidh Matin me rrugën e Arbrit, u shemb duke u kthyer në problem shqetësues për drejtuesit e mjeteve. Vetëm pas shumë lajmesh problematike të transmetuara në media, firma “Gjoka Konstruksion” bëri të mundur ndërhyrjen dhe ndërtimin e një muri mbrojtës. Mirëpo ndërhyrja mbeti me kaq, pasi edhe pse nuk është në një distancë të madhe, kjo pjesë rruge nuk është asfaltuar. Drejtuesit e mjeteve që e përdorin këtë rrugë çdo ditë thonë se është problem për shkak se shumë drejtues mjetesh dalin në anën e kundërt për t’ju shmangur pjesës së dëmtuar. Ata kërkojnë që kompania, e cila rregulloi shembjen me nënshtresa, të hedhë edhe asfaltin në mënyrë që lëvizja të bëhet lirshëm dhe pa u rrezikuar. Kjo rrugë ka qenë vazhdimisht problematike pasi ka patur lëvizje të bazamentit të tokës që kur është ndërtuar në disa pjesë, kryesisht në afërsi të banesave të fshatit Fshat.