Pas një të diele plot diell është rikthyer këtë të hënë moti i keq në të gjithë Qarkun Dibër.

Që prej orëve të natës së kaluar zonat e ulta janë përfshirë nga reshjet e shiut të cilat nuk janë shoqëruar me erë të fortë si pak ditë më parë, ndërsa në zonat malore kanë rinisur reshjet e borës, si në fshatrat e thellë të Zerqanit, Ternovë e Madhe dhe Tërnovë e Vogël, fshatrat e njësive Ostren e Trebisht. Edhe në Njësitë Selishtë, Kala e Dodës, Lurë e Sllovë në Bashkinë Dibër kanë rinisur reshjet e borës.

Ndërkohë, sipas institucioneve zyrtare deri tani Lura ka komunikim vetëm nëpërmjet Rrëshenit pasi rruga që e lidh me Peshkopinë është e bllokuar. Aksi rrugor Klos – Tiranë nëpërmjet rrugës së Arbrit ka qenë i kalueshëm paprobleme.

Për momentin problemi më i madh në Qarkun Dibër mbetet furnizimi me energji elektrike ku për shkak të ngarkesës në rrjet ka ndërprerje në disa zona, in ë lagjen “Minatori” në Bulqizë e në fshatra të tjerë të kësaj bashkie. Ndërprerje periodike ka patur edhe në zona të Bashkisë së Dibrës.