Pas disa ditëve me diell e premtja dhe e shtuna pritet të rikthejnë motin e paqëndrueshëm me reshje shirash që do të shoqërohen me shtrëngata.
Ashtu si fundjava që lamë pas, edhe në këtë fundjavë pritet të mbizotërojë moti me shi që do të përfshijë kryesisht veriun dhe verilindjen e vendit.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ditën e premte vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme për shkak të masave ajrore të lagështa dhe të ftohta me origjinë veriore.
Moti parashikohet i vranët dhe reshje shiu të herë pas hershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave. Në zonën e jugut në periudha afatshkurtra reshjet do të jenë me intensitet deri dhe të lartë në formën e rrebesheve shoqëruar me shkarkesa elektrike. Ndërsa në zonën e Alpeve dhe verilindje në lartësitë mbi 700-800 metër pritet të ketë reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar dhe në zonën e juglindjes reshje të dobëta dëbore me intensitet të ulët në lartësitë mbi 1000 metër.
Temperaturat në zonat malore pritet të jenë nga 2 deri në 6 gradë Celsius. Ndërkohë, shtabet e mbrojtjes civile në Qarkun Dibër kanë rritur gatishmërinë për përballimin e situatave që mund të krijohen nga moti i keq në orët në vijim.