Reshjet e shiut krijojnë probleme në rrugën e Arbrit, aksident në fshatin Fshat

0
21

Reshjet e shiut të rëna gjatë kësaj të premteje kanë krijuar probleme në rrugën e Arbrit. Me problematike situata ka qenë në segmentin nga Ura e Vashës deri në Qafën e Buallit ku ka patur rënie të shumta të gurëve. Drejtuesit e mjeteve janë përballur në befasi me këtë problematikë për shkak se reshjet kanë qenë të rrëmbyeshme dhe gurët kanë rënë menjëherë. Kujtojmë se në këtë segment të rrugës së Arbrit janë investuar së fundmi plot 10 milion euro për të bërë rivitalizimin e skarpatave. Por edhe pse është vendosur rrjeta dhe një pjesë e skarpatës është betonuar, i gjithë segmenti paraqet rrezikshmëri për drejtuesit e mjete sa herë ka reshje shiu.

Këtë të premte dy automjete u përplasën kokë më kokë në fshatin Fshat të Klosit mesditën e sotme. Aksidenti ndodhi në afërsi të rreth-rrotullimit të që ndan rrugën e Arbrit me rrugën lidhëse të Matit. Mjeti tip “GL” lëvizte në drejtim të Klosit ndërsa ai “Ford” në drejtim të Tiranës. Nga përplasja ka patur vetëm dëme materiale ndërsa policia pritet të zbardhë shkaqet e aksidentit. Paraprakisht dyshohet të jetë shkaktuar nga lagështia në rrugë, ndërsa dyshohet që të ketë patur edhe vaj në asfalt që stimulon rrëshqitjen.