RASTI I ULZËS DHE NEVOJA PËR KONTROLL NGA AUTORITETET
Ngjarja e rëndë e ndodhur të hënën e 15 qershorit në Ulëz, ku një 37 - vjeçar humbi jetën në liqen pasi u rrëzua nga një mjet ujor, është një alarm për autoritetet për sigurinë në këtë basen ujor. Ndonëse vëmendja më e madhe është përqendruar në bregdet ku ka shumë raste të tilla, liqenet e lundrueshme me mjete ujore janë lënë thuajse jashtë mbikqyrjes nga ana e autoriteteve. Më 15 qershor dy të rinj humbën jetën në vendin tonë nga mjetet motorike ujore. Një 22-vjeçar u përplas me skafin e policisë kufittare në Ksamil, ndërsa 37-vjeçari Armando Zajsi humbi jetën në liqenin e Ulzës. Ky i fundit nuk kishte veshur as jelekun e ajrit për tu mbrojtur në rast të rënies në ujë. Jashtë kameras, banorë që jetojnë përgjatë vijës së liqenit të Ulzës thanë se mjete ujore, jashtë parametrave që përcakton rregullorja, lundrojnë çdo ditë në liqen, madje me shpejtësi të lartë. Ata shprehen se nuk ka asnjë masë ndaj personave që e përdorin këtë basen ujor për sporte të tilla që mund të jenë të rrezikshme. Po ashtu, në vijën liqenore mungon edhe perimetri i sigurisë që këto mjete ujore nuk duhet t’i afrohen. Banorët kërkojnë jashtë kameras që rasti i fundit të jetë një këmbanë alarmi për autoritetet në mënyrë që ngjarje të tilla tragjike të mos përsëriten më në të ardhmen.