Rasti i parë me Covid-19 në Mat, bëhet me dezinfektimi i banesës së adoleshentes

Rasti i parë në Mat u zbulua në ndjekje të rasteve të të infektuarve nga një fasoneri në Krujë. Ndërkohë, burime pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Mat, thanë për Mat Televizion se ditën e djeshme janë marrë katër tampon në familjen e vajzës së infektuar në fshatin Batërr e Vogël të Njësisë Administrative Komsi. Nga këta katër tampon vetëm 16 vjeçarja e ardhur nga Kruja ka rezoltuar pozitive, ndërsa tre të tjerët kanë rezultuar negativ.

Gjatë ditës së sotme janë marrë edhe 6 kampion të tjerë për analizë, përgjigja e së cilave do të dalin të dielën. Pas zbulimit të këtij rasti është bërë dezinfektimi i banesës së familjes së të infektuarës. Burimet pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Mat, thanë se rasti është i izoluar ndërsa e infektuara nuk ka shenjat klinike të virusit megjithëse zyrtarisht rezulton e infektuar. Ata u shprehën se është kërkuar izolimi i saj të qëndrojë vetëm në një nga dhomat e banesës, ndërsa do të monitorohet vazhdimisht nga mjeku i familjes.

Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Mat i bën apel qytetarëve që të jenë të qetë, të zbatojnë masat e kërkuara që në fillim të kësaj pandemie, distancimin social, higjenën personale dhe qëndrimin në shtëpi.