Kryeministri Rama përmes një videomesazhi në Facebook ka uruar komunitetin mysliman për fillimin e muajit të Ramazanit. Kryeministri ka marrë shkas nga kjo datë e shënuar për të falënderuar të gjithë komunitetet fetare që, me radhë, kanë sakrifikuar ceremonitë tyre dhe “me vetëdije të lartë për mos t’iu shmangur zinxhirit të masave parandaluese, kanë mbajtur të mbyllur tempujt”.

Duke cituar ish-presidentin amerikan Lincoln, që thoshte se “ilaçi më i mirë për njeriun është agjërimi”, kryeministri shigjetoi edhe ata që sipas tij ankohen se shqiptarët po vdesin për bukë. “Në këtë kohë të vështirë, agjërimi do t’ i qetësonte dhe do t’i hollonte helmin”, tha Rama, duke shtuar se “shqiptari nuk ka vdekur dhe nuk do të vdesë kurrë për bukë”.