Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje të reja për hapjen e lëvizjes gjatë një bashkëbisedimi online të zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës. Rama tha se shkollat, lokalet dhe kufijtë do hapen në fund, “kur të festohet fitorja e luftës me COVID-19”. Kreu i qeverisë tha se do ketë një paketë të re ekonomike, ku do zgjerohen bizneset që do përfitojnë “pagë lufte” nga qeveria.

Sipas tij të gjithë bizneset e vogla, të cilat mund të jenë të hapura, por nuk kanë punë do përfitojnë nga ndihma ekonomike. Disa nga bizneset që përfitojnë janë: rrobaqepësitë, lavanteritë, taksitë, shoferët, gomistët, serviset e makinave, por dhe hidraulikët dhe elektricistët. Rama tha se shumë shpejt do ketë detajim të masave të reja përfituese.

Sipas Ramës, të gjitha bizneset që do fillojnë të hapen në ditët në vijim duhet të marrin masat mbrojtëse kundër COVID-19. Nuk harroi gjithashtu të theksojë se do të ketë dhe masa shtrënguese, me ndryshime në Kodin Penal dhe atë Rrugor, pasi shkelësit e rregullave do kenë dënime të ashpra, sekuestrim të makinës dhe lejes së qarkullimit.