Që dje aktiv, vijon lufta me flakët në Ulëz. Terreni vështirëson operacionin

Që dje aktiv, vijon lufta me flakët në Ulëz. Terreni vështirëson operacionin

Prej ditës së djeshme vijon puna për shuarjen e një vatre zjarri në Njësinë Administrative Ulëz, në fshatin Lundër, zonë që bën pjesë në Ekonominë Pyjore Ulëz–Shkopet. Zjarri është shfaqur më 8 korrik 2026, rreth orës 14:00. Menjëherë pas konstatimit të tij, Bashkia Mat ka marrë të gjitha masat për ndërhyrje, pavarësisht se vatra ndodhet në një zonë të thellë malore me terren shumë të vështirë, çka e ka bërë të pamundur ndërhyrjen direkte të mjeteve zjarrfikëse. Gjatë ditës së djeshme u arrit izolimi i vatrës së zjarrit, e cila kishte marrë një shtrirje prej rreth 1 kilometri. Aktualisht, forcat në terren po punojnë për shuarjen e plotë të flakëve dhe eliminimin e çdo rreziku për riaktivizim. Në operacion janë angazhuar punonjës të Shërbimit Pyjor, të Shërbimit Zjarrfikës dhe të Njësisë Administrative Ulëz. Në terren ndodhen gjithashtu efektivët e zjarrfikëses së Bashkisë Mat, si dhe 15 punonjës të shërbimit pyjor. Zona e prekur përbëhet kryesisht nga pyje dushku dhe shkurre të llojeve bush, shqopë dhe dëllinjë. Deri më tani nuk raportohet për rrezik ndaj banesave, ndërsa operacioni për shuarjen e plotë të zjarrit vijon.