I gjithë Qarku Dibër është përfshirë nga reshje të dendura dëborës që prej orëve të para të ditës së Mërkurë. Trashësia e borës varion nga 30 centimetra në zonat e ulëta deri në 50 centimetra në zonat e thella malore. Rruga nacionale Burrel – Peshkopi deri në mesditë kalohej me shumë vështirësi, ndërsa ato Ura e Çerenecit – Librazhd dhe Peshkopi – Kukës ishin të pakalueshme. Firmat e mirëmbajtjes së këtyre rrugëve janë gjetur në befasi nga dëbora e 1 Prillit, pasi kishin hequr mjetet borëpastruese për shkak se kontrata e parashikonte deri me 15 Mars. Po ashtu, të gjitha rrugët e fshatrave në Bashkitë Dibër e Bulqizë janë të bllokuara pasi trashësia atje shkon deri në 50 centimetra si në Ostren, Trebisht, Lurë, Martanesh, Arras etj. Në Bashkitë Mat e Klos problem mbeten njësitë e thella malore si ajo e Xibrit, Gurrës, Macukulli, Derjani etj. Ndërkohë në të katër Bashkitë e Qarkut janë mbledhur shtabet e emergjencave civile për të nisur punën për hapjen e akseve të bllokuara, ndonëse është ndaluar lëvizja për automjetet private e ato të transportit publik, strukturat vendore do t’i kthejnë të kalueshme. Në qytetin e Burrelit lëvizja bëhet paprobleme për shkak se nuk ka patur ngrica. Ndërkohë punëtorët e Ndërmarrjes së Shërbimeve Bashkiake në Bashkin Mat, gjatë gjithë ditës kanë punuar për heqjen e dëborës nga pemët në mënyrë që ato të mos thyhen. Deri në orën 16:00 nuk ka patur asnjë dëm në pemët e parkut “Mbretëresha Geraldinë” apo ato përgjatë rrugëve të qytetit.