Katër vatra infeksioni janë konfirmuar deri tani në vendin tonë me gripin e shpendëve. Sëmundja e njohur si Influenca Aviare është prezente në Zall Herr, Paskuqan të Tiranës, Nartë të Vlorës e Lagunën e Karavastas në Divjakë.

Ndërkohë, të pyetur nga ana jonë, specialistët e Shërbimit Veterinar Rajonal, që përfshin gjithë qarkun Dibër, thanë se deri tani nuk ka asnjë shenjë që ky grip të jetë i pranishëm tek shpendët shtëpiakë apo të egër në të gjithë qarkun. Megjithatë, ata kërkojnë që kushdo që sheh një rast të dyshimtë të ngordhjes së shpendëve të njoftojë menjëherë strukturat veterinare në të katër bashkitë e qarkut.

Influenca Aviare që njihet ndryshe dhe si “Gripi i Shpendëve” është një sëmundje virale me ngjitshmëri të lartë, që prek një sërë speciesh të shpendëve shtëpiake, si dhe zogjve që mbahen si kafshë shtëpiake dhe atyre të egër në sistemin e frymëmarrjes, tretës dhe/ose atë nervor. Ajo shkaktohet nga Virusi i Influencës i Tipit A.

Ky infeksion mund të parandalohet vetëm nëpërmjet zbatimit të masave të biosigurisë me qëllim uljen e nivelit të ekspozimit ndaj virusit, i cili përhapet me rrugë ajrore dhe ato të kontaktit me shpendët portatorë, të egër dhe migratorë për në fermat dhe oborret familjare, të cilët mbarështojnë shpendë. Gripi i shpendëve është një sëmundje virale që prek kryesisht shpendët, por disa lloje të virusit mund të infektojnë shumë rrallë edhe njerëzit. Rrezikshmëria për njerëzit varet nga lloji specifik i virusit dhe kontakti me shpendët e infektuar. Në këtë rast masat mbrojtëse që rekomandohen janë: Shmangni kontaktin me shpendë të infektuar ose të ngordhur; Gatuani mirë mishin dhe vezët e shpendëve; Mbani higjienën e duarve dhe përdorni maska në zona me shpërthime; Informohuni për vaksinimet apo masat që ofrohen në rast shpërthimesh; Nëse keni dyshime për kontakt me shpendë të infektuar ose shfaqni simptoma, kontaktoni menjëherë një mjek. Simptomat mund të përfshijnë: Temperaturë të lartë; Kollë dhe vështirësi në frymëmarrje; Dhimbje muskujsh dhe dobësi. Në raste të rënda, mund të shkaktojë komplikime si pneumonia dhe insuficienca respiratore, që mund të jenë fatale.