Punimet për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit po vijojnë me ritme të larta, ndërkohë që ky aeroport konsiderohet si potencial i jashtëzakonshëm për të gjithë ekonominë kombëtare.
Kryeministri Edi Rama solli sot disa pamje nga punimet që po kryhen në këtë aeroport, ndërsa theksoi se vitin e ardhshëm në të do të ulet Migjeni, me një fluturim falas nga Londra.
“Mirëmëngjes me këtë video të dedikuar për të gjithë ata që më kanë përqeshur për Aeroportin e Kukësit, ku po punohet intensivisht dhe vitin e ardhshëm do të ulim Migjenin, me një fluturim falas për të gjithë ata që më kanë sharë nga Londra”, tha Rama.
Aeroporti i Kukësit do të mundësojë fluturime me kosto të ulët, ndërsa do të sjellë një erë të re zhvillimi për të gjithë zonën. Ai shihet edhe si një gjenerator i mijëra vendeve të reja të punës që do të hapen vit pas viti si rezultat i zhvillimit të biznesit dhe ekonomisë lokale.
Aeroporti i Kukësit ka një territor prej 512 mijë metra katrorë, me një gjatësi piste prej 1900 metrash dhe gjerësi 45 metra. Kategoria e tij është 3C, për akomodimin e avionëve turboprop dhe avionëve me turbina rajonalë. Kapaciteti i projektuar është rreth 1 milion pasagjerë në vit.
Projekti parashikon të gjitha ndërhyrjet e nevojshme për ta bërë aeroportin e Kukësit një aeroport të standardeve europiane, pjesë e të cilit do të jetë zgjerimi i pistës në krahun verior me rreth 500 metra, një terminal i ri, si dhe një kullë e re.