Protestat e vazhdueshme të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ka reaguar edhe kompania Albchrome. Në reagimin e saj për Mat Tv kompania thotë se nuk e njeh Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës pasi ajo ka nënshkruar një kontratë kolektive me një tjetër sindikatë.

“Në zonën e ish – minierës së Bulqizës që administrohet nga kompania Albchrome prej disa ditësh ka filluar një përplasje ndërmjet sindikatave të ndryshme që janë pjesë e lëvizjes sindakale në qytet. Një pakicë punonjësish, që nuk përfaqësojnë masën e minatorëve, teknikëve dhe inxhinierëve kanë themeluar një sindikatë tjetër dhe ne si Albchrome nuk jemi pjesë e saj, kjo për arsye se aktualisht, kemi nënshkruar një kontratë kolektive me një sindikatë tjetër. Kompania Albchrome distancohet tërësisht nga ky proces dhe siguron opinionin publik që puna në minierë vijon rregullisht dhe nuk është ndërprerë për asnjë moment – thuhet në reagimin e Albchrome.

Por nga ana tjetër, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës thotë se punëtorëve iu ndryshohen vendet e punës dhe detyrohen të punojnë në pozicione të cilat nuk i njohin, duke iu rrezikuar edhe jetën.

“Pavarësisht vullnetit të punëtorëve për të qenë pjesë e grevës, autobusët e kompanisë që transportojnë punëtorët futen brenda rrethimit dhe nuk i lejojnë më që të dalin prej aty, duke i mbajtur edhe forcërisht. Por ajo çka është edhe më e rënda, është mbajtja në punë për disa turne e minatorëve, vetëm për të siguruar prodhimin e kromit. Kjo është një shkelje e hapur edhe e rregullores së sigurimit teknik. Pas turnit të tretë, të mbash në punë një punëtor edhe një turn tjetër, aq më keq një minator, është jo vetëm shkelje, por një krim i mundshëm i paramenduar. I bëjmë thirrje sërish Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM) që të marrë masa të menjëhershme” – përfundon reagimi i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.