Ish-minatorët prej javësh protestojnë çdo të enjte para godinës së Parlamentit në Tiranë, ku kërkojnë miratimin e statusit të minatorit. Ndërkohë, ndryshe nga protestat politike, protesta e ish-minatorëve nuk merr vëmendjen e duhur. Megjithatë, ata janë të vendosur që t’i vazhdojnë këto protesta. Ish-minatorët e Bulqizës ju bëjnë thirrje edhe minatorëve aktualë që të dalin në protestë për statusin e minatorit. Një ndër shkaqet e zbehjes së këtyre protestave, sipas ish – minatorëve është edhe indiferenca e sindikatave, të cilat sipas tyre janë palë me subjektet minerare dhe shtetin.
Ish-minatorët bëjnë thirrje për bojkot të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit të këtij viti nëse kërkesa e tyre për miratimin e statusit të minatorit nuk gjen miratimin në kuvend.
Prej 35 vitesh, punëtorëve të nëntokës ju është premtuar në vendin tonë statusi i minatorit, por deri tani asnjë qeveri nuk e ka miratuar.