Procesionarja apo e njohur ndryshe si krimbi i pishës vijon të jetë shqetësuese për masivet pyjore me pishë të zezë në vendin tonë. Insketi dëmtues jo vetëm që nuk po zhduket por po ambjentohet me çdo lloj temperature.
Sipas ekspertëve, ndryshimet klimatike kanë favorizuar këtë dëmtues pasi arrin t’i rezistojë temperaturave dimërore në vendin tonë në zona të ulta.
Por vitet e fundit, ky insekt po ngjitet edhe në lartësi atje ku temperaturat gjatë dimrit zbresin disa gradë nën zero. Ky është masivi pyjor me pishë të zezë në afërsi të malit të Balgjajt në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit.
Siç duket nga pamjet, procesionarja ka arritur edhe në këtë lartësi çka do të thotë se po i reziston temperaturave dimërore të cilat këtu janë disa gradë nën zero dhe zgjasin shumë kohë.
Prej 11 vitesh nuk ka më asnjë nismë të ndërmarrë për pastrimin e masiveve me pishë të zezë të infektuar nga procesionarja, ndërsa ekspertët vijojnë t’i qëndrojnë idesë së mënyra më e mirë për të mbrojtur pishën nga procesionarja është nëpërmjet pastrimit mekanik duke hequr degët e infektuara.