Masivet pyjore me pishë të zezë në vendin tonë duket si të jenë dekoruar nga dora e njeriut, ose më mirë të themi nga neglizhenca e njeriut. Kjo pasi, dekorin në masivet me pishë e krijojnë qeskat e endura nga krimbi larvë i insektit të procesionares, i cili është strehuar aty për tu mbrojtur nga temperaturat e ulta të dimrit. Masivi pyjor me pishë të zezë në fshatin Plan i Bardhë të Bashkisë së Klosit është ndoshta më i prekuri në këtë njësi vendore. Siç duket nga pamjet e kameras së “Mat Tv”, thuajse çdo degë pishe e ka nga një qeskë në të cilën brenda saj ndodhen dhjetra krimba të njohur si krimbat e procesionares.
Specialistët e pyjeve thonë se autoritetet kanë një shans për të ulur prekshmërinë nga ky dëmtues në këtë periudhë. Duke qenë se parashikohet që deri nga mesi i muajit Shkurt temperaturat të zbresin disa gradë nën zero, nëse do të ishte e mundur çarja mekanike e qeskave, krimbi nuk do të mbijetonte.
Kjo ndoshta është një nga metodat më me pak kosto si dhe më e efektshme. Megjithatë, një metodë e tillë sipas specialistëve do shumë kohë që të realizohet pasi duhet bërë mekanikisht në çdo pemë pishe, gjë e cila kërkon shumë fuqi punëtore.
Megjithatë, specialistët evidentojnë faktin se si organet shtetërore nuk kanë marrë më asnjë iniciativë për të luftuar këtë parazit që nga viti 2015 ku u zhvillua një fushatë kombëtare e ndarë në disa ngastra, ku u përdor metoda mekanike e prerjes së degës së infektuar dhe djegia e saj.