Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu mblodhi këtë të hënë përfaqësuesit e institucioneve vendore e qendrore, përgjegjëse për pyjet dhe mjedisin. Në takimin e zhvilluar në ambjentet e këshillit të Bashkisë Mat, të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve nën varësi të bashkive Mat e Klos për pyjet dhe atyre në varësi të ministrisë së mjedisit si dhe të policisë së shtetit. Në fjalën e tij, Prefekti Shehu tha se duhet një bashkëpunim më i ngushtë i të gjitha instancave jo vetëm për menaxhimin e situatave që mund të krijohen nga zjarret, por edhe në ruatjen e pyjeve.
Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit për Qarkun Dibër, Lutfi Miftari tha se për situatën e zjarreve, bashkitë duhet të jenë më kompakte, duke nisur nga programet e zjarreve, skuadrat zjarrfikëse e tj.
Përfaqësuesit e vendor që morën fjalën, ngritën problematikat me të cilat përballe në situata të tilla. Sipas tyre, në pjesën më të madhe të ekonomive pyjore të Matit e Klosi, mungon infrastruktura rrugore për të shkuar mjeti zjarrfikës. Po ashtu, një tjetër problematikë që u paraqit ishte edhe procedura që duhet ndjekur për mbështetjen nga forcat e ushtrisë dhe mjetet e saj zjarrfikëse. Në fund të gjithë takimit, u vendos që në vazhdim të ketë një menaxhim të koordinuar të situatave mjedisore nga të gjitha instancat përgjegjëse.