Një javë më parë Mati u përfshi në listën e zonave të prekura nga Covid-19 në vendin tonë. Një rast i importuar nga Kruja ku ishte shfaqur një vatër e virusit në një fasoneri, bëri që edhe në Mat të kishte të infektuar me virusin korona. Por për fat të mirë, prej një jave mbetet i vetmi rast të cilin autoritetet shëndetësore e kanë izoluar deri sa të përfundojë karantinën dhe të rezultojë negativ pas 14 ditësh nga zbulimi i infeksionit. 11 analiza të marra në rrethin e afërt me të infektuarën rezultuan negative. Ndërsa gjatë kësaj jave, është bërë një tjetër analizë e një personi të dyshuar, por edhe ajo është zyrtarisht jo me Covid-19. Megjithëse Qarku i Dibrës është tashmë që prej së hënës në zonën e gjelbërt, Ministria e Shëndetësisë nuk e ka përjashtuar nga të gjitha rregullat, pasi kjo e dielë, ashtu si në zonat e prekura, të gjithë duhet të qëndrojnë në banesë dhe dyqanet apo farmacitë do të jenë të mbyllura. Ndërkohë nënat me fëmijë dhe pensionistët të dielën do të mund të shëtisin deri në orën 10:00 të paradites.