Për dy muaj me radhë Gusht-shtator të vitit të kaluar Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet repartit të forcave xhenjere ndërhyri në tunelet e qafshtamës për t’i pastruar ato në mënyrë që të kthehen në shërbim të komuniteti. Hostspotet u çertifikuan si të sigurta pas një kohe të gjatë që u punua në to.
Por banorët e zonës ngrejnë alarmin pasi zona vijon të jetë e rrezikshme. Zona përreth këtyre tuneleve është e mbushur me predha luftarake, diagore e fishekë luftarak. Madje ç’është më e keqja, shumë prej tyre janë vetëm pak metra në dalje të tunelit, zonë e cila u çertifikua nga Ministria e Mbrojtjes si e sigurtë.
Banorët kërkojnë që të bëhet një tjetër kontroll i zonës, pasi kanë nisur sërisht gërmimet për të mbledhur predhat luftarake për t’i shitur për skrap. Ata i druhen një tjetër tragjedije në këtë zone, pasi aty vazhdojnë të shkojnë edhe fëmijë.
Shpërthimi i fuqishëm i 29 Prillit të vitit 1997 ka bërë që shumë predha luftarake të shpërndahen në një sipqërfaqe të gjerë e cila ende vijon të jetë e pakontrolluar nga specialistët dhe të rrezikojë jetën e banorëve, sidomos të fëmijëve. 22 vite më parë në këtë vend humbën jetën plot 23 persona, gra, fëmijë e të rinj pasi shpërtheu njëri nga tunelet.
Vetëm 11 viktima janë identifikuar dhe varrosur, ndërsa për të tjerët nuk ka asnjë shenjë.