Home Blog

Vëzhgim/ A u respektua karantinimi pas orës 13.00 në Burrel?

0

Që nga ora 13:00 e kësaj të shtune deri në orën 5 të mëngjesit të së hënës, e gjithë shqipëria do të jetë në karantinë. Ashtu siç është bërë në dy javët e kaluara, edhe kjo fundjavë do t’i gjejë të gjithë qytetarët në banesat e tyre. Për shkak të kësaj, në rrugët e qytetit të Burrelit u pa një numër i madh qytetarësh të cilët nxitonin për të bërë furnizimin e nevojshëm me produkte edhe për ditën e dielë pasi do të jetë gjithçka mbyllur. Sapo akrepat e orës shënuan 13:00 të gjitha bizneset ulën qepenat dhe qytetarët nxituan për në banesat e tyre, ku do të duhet të qëndrojnë rreth 40 orë mbyllur, duke përjashtu rastet e emergjencës shëndetësore. Autoritetet e shëndetit publik vijojnë tju bëjnë thirrje qytetarëve që të zbatojnë masat e kërkuara për parandalimin e përhapjes së Covid-19 dhe të jenë të durueshëm pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ndërpritet zinxhiri i transmetimit të këtij virusi.

U largua në Durrës 19 vite më parë, rikthehet në fshatin e tij Lik Dumani

Migrimi i brendshëm ka qenë një tjetër arsye për braktisjen e fshatrave në zonat e thella malore apo në qarqet jashtë Tiranës e Durrësit. Shumë banorë të fshatrave të Dibrës janë zhvendosur me banim në Durrës apo Tiranë. Ndërkohë, ka prej tyre që i janë rikthyer trojeve të të parëve pasi nuk mund të jetojnë më në ato zona ku kishin shkuar dy dekada më parë. 73 vjeçari Lik Dumani nga fshati Homesh shprehet se ka menduar të rikthehet përfundimisht në fshatin e lindjes për shkak se të gjithë fëmijët i ka në emigrim në shtetin fqinj të italisë. Arsyeja e rikthimit këtu, sipas Dumanit është jo vetëm se është vendlindja por edhe sepse ka ajër të pastër e mundësi për të kaluar vitet e pensionit edhe duke u marrë me frutikulturë.

Nga ana tjetër, 73 vjeçari Lik Dumani thotë se fëmijët po mendojnë edhe për të investuar në agroturizëm në vendlindjen e tyre.

Bizneset në fshatra të mbytur nga “borxhet” e pa kthyera

Vështirësitë ekonomike të qytetarëve shqiptar i kanë detyruar që ushqimet e shportës ndër vite t’i marrin borxhë në dyqane. Ky fenomen është më i pranishëm në fshatra ku bizneset e shitjes së produkteve të konsumit të përditshëm janë përballur vazhdimisht me vështirësi ekonomike pasi kanë dhënë produkte borxh për bashkëfshatarët. Jonuz Mjeshtri nga fshati Çerenec i Poshtëm në Njësinë Administrative Gjoricë të Bulqizës thotë se në listat e borxheve ka banorë që kanë marrë produkte që prej vitit 2000. Duke i llogaritur në total për këto 25 vite, Jonuzi na tregon se shuma totale që i kanë borxh shkon në rreth 8 milion lekë të rinj apo 80 milion lekë të vjetra. Sipërmarrësi Jonuz Mjeshtri tregon se shumica e atyre që i kanë borxh janë larguar, duke bërë që të humbë shpresat për të mbledhur borxhin që ju kanë.

Nga ana tjetër, Jonuzi thotë se është drejt mbylljes së aktivitetit të tij për shkak se jo vetëm janë larguar njerëzit, por edhe sepse nuk mund të mbledhë borxhet që i kanë prej vitit 2000.

Nis monitorimi në liqenet Ulëz e Shkopet, kërkohet heqja e rrjetave

  Prej ditës së djeshme ka hyrë në fuqi moratoriumi dy mujor i ndalimit të gjuetisë së peshkut në liqenet Ulëz e Shkopet. Në zbatim të udhërit të Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, numër 306 datë 28.03.2025, ndalimi i gjuetisë së peshkut në këto dy liqene do të bëhet nga data 25 Prill deri me datë 25 qershor, për t’i dhënë mundësinë peshkut Krap që të lëshojë vezët dhe të ketë shtim natyral të tij. Për këtë moratorium janë njoftuar të gjithë peshkatarët e liçensuar dhe që janë pjesë e Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit Ulëz. Që prej ditës së premte, specialistët dhe punonjësit e Drejtorisë së Politikave dhe Programeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit, Drejtorisë së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Policisë së Rendit dhe policisë bashkiake kanë nisur monitorimin e këtyre dy basenëve ujore në terren për të ndaluar rreptësisht dhe për të çuar para ligjit të gjithë ata persona apo grupe peshkatarësh që thyejnë moratoriumin e ndalimit të gjuetisë. Gjithashtu, këto struktura ftojnë qytetarët që të denoncojnë çdo rast të gjuetisë në këtë periudhë pasi është në paligjshmëri të plotë.

Dibër, shpëtojnë qershiat e vona

Ngricat e fillim prillit siduket nuk kanë bërë dëm totalisht në pemët frutore në Dibër. Disa nga varietetet e vona të qershisë i kanë shpëtuar akullit që i mbërtheu për tre netë me radhë. Medin Kryemadhi thotë se është përqindje shumë e vogël në krahasim me parcelat që ka të kultivuar me qershi. Ai shton se vetëm varietetet që çelin në këtë periudhë kanë arritur t’i shpëtojnë të ftohtit që mbajti pas reshjeve të dëborës së pak javëve më parë. Medini shprehet se ai dhe vëllai i tij janë shumë të dëmtuar nga ngricat e fillimit të muajit dhe se me kaq sa ka shpëtuar nuk mund të nxjerrin as koston e shpenzimeve që kanë për pemët deri në prodhimin e frutave.

  Reshjet e borës të pak ditëve më parë kanë shkaktuar dëme të mëdha tek fermerët e qarkut Dibër, kryesisht në frutikulturë pasi shumë pemë frutore i gjeti në lulëzim apo sa kishin nisur të formonin fruta.

GJYKATA LË NË “ARREST SHTËPIE” ISH-DREJTORESHËN E SPITALIT NË DIBËR, IRINI SHEHU

Ish-drejtoresha e Spitalit Rajonal Dibër, Irini Shehu është lënë sot në arrest shtëpie.

Ndalimi i Irini Shehut u krye pas kallëzimeve të njëpasnjëshme nga stafi i Spitalit Rajonal të Dibrës, duke marrë indicie fillimisht nga përplasja që ajo pati me shefin e financës, Shaban Uklala, të cilin e goditi me sende të forta në ambientet e spitalit.

37-vjeçari Shaban Uklala bëri kallëzim ndaj saj në Policinë e Dibrës, duke u pasuar nga shumë kallëzime të tjera të punonjësve të tjerë të spitalit.

44-vjeçarja Irini Shehu u shkarkua nga detyra si drejtuese e Spitalit Rajonal të Dibrës disa javë më parë dhe teksa po hetohej në gjendje të lirë, punonjës të tjerë të spitalit e kanë denoncuar atë për fyerje dhe kërcënime.

Policia njoftoi se nisi nje tjetër procedim ndaj Shehut më 22 prill 2025, pasi dyshohet se ka kërcënuar përmes telefonatave dhe mesazheve një 48-vjeçare.

Të enjten më 23 prill, Irini Shehu është paraqitur në Spitalin e Dibrës, ndonëse e kishte të ndaluar dhe mësohet se ka pasur sërish përplasje me punonjës të spitalit.

Nisur nga këto kallëzime, Prokuroria urdhëroi arrestimin e Irini Shehut, por kjo e fundit është përpjekur t’i shmanget përgjegjësisë ligjore, duke qëndruar në një nga dhomat e spitalit, me pretendimin se ishte sëmurë. Gjatë qëndrimit të saj në spital u monitorua nga Policia e Shtetit, ndërsa e ka konsideruar urdhërarrestin të paligjshëm dhe të pabazuar në prova.

Festa e Shën Markut në Ulëz

  Është kthyer në traditë tashmë festimi i festës së Shën Markut në Ulëz, ku çdo vit organizohen aktivitete në nderim të kësaj dite të shënuar për banorët e zonës. Bashkia e Matit, nëpërmjet Njësisë Administrative Ulëz dhe drejtorive në varësi të bashkisë, kishin përgatitur një aktivitet të larmishëm, i shoqëruar me një panair të punimeve artizanale. Kryetari në detyrë i Bashkisë së Matit, Myslym Zeneli, bëri urimin e rastit për banorët e ulzës që festojnë Festën e Shën Markut. Po ashtu, një urim e bëri edhe Kandidati i Partisë Socialiste për Qarkun Dibër, Blendi Klosi. Urimeve iu shtua edhe famulltari i Kishës së Ulzës.

  Aktiviteti u shqërua me një koncert festiv të nxënësve të shkollës së Ulzës etj.

Të pranishëm në këtë festë ishin edhe kandidati për deputet i PS Agron Malaj, nënprefekti i Matit Hasan Pasha e drejtues të tjerë të institucioneve në Mat. Ata zhvilluan një vizitë në ambjentet e kishës së Ulzës për të uruar drejtuesit e saj në festën e Shën Markut.

Festa e Shën Markut në Ulëz prej vitesh është kthyer jo vetëm si një festë tradicionale, por edhe si një ditë që një nga zonat me të bukura turistike të vendit tonë të çelë sezonin e ri turistik për të pritur qindra e mijëra vizitorë në pjesën tjetër të vitit.

Incident në Bulqizë – Xhelal Mziu dhe nipi i tij dhunojnë një zyrtar pas një takimi elektoral të Partisë Demokratike, çështja i kalon SPAK-ut

0

Një incident elektoral është regjistruar në Bulqizë, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu, dhe nipi i tij E. M., dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një zyrtari lokal pas një takimi elektoral në fshatin Ostren, në njësinë administrative me të njëjtin emër.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Shtetit, viktima e dhunës është Kalosh Murra, 33 vjeç, banor i Shupenzës dhe punonjës i Njësisë Administrative Ostren. Ngjarja ndodhi më 24 prill 2025, rreth orës 13:00, menjëherë pas përfundimit të një takimi politik të organizuar nga Partia Demokratike në këtë zonë.

Dhunë pas takimit politik në Bulqizë – Hetimet i kalojnë SPAK-ut

Burime zyrtare bëjnë me dije se Xhelal Mziu dhe nipi i tij e kanë goditur me grushte zyrtarin lokal në ambientet e jashtme të Njësisë Administrative Ostren. Pas raportimit të incidentit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Bulqizë kanë referuar materialet hetimore në SPAK për ndjekje të mëtejshme ligjore.

Të dy të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, një akuzë serioze që rëndon mbi ta në një moment kritik për fushatën zgjedhore.

Deklarata zyrtare e policisë për incidentin në Bulqizë:

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë referuar materialet në SPAK për veprën penale ‘Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje’ për shtetasit Xh. M., 58 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, xhaxha dhe nip, banues në Tiranë. Dyshohet se më datë 24.04.2025, rreth orës 13:00, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik ‘Partia Demokratike’ në fshatin Ostren, kanë goditur me grushte shtetasin K. M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të Njësisë Administrative Ostren.”

Zhvillimet e mëtejshme pritet të sqarojnë rrethanat e incidentit, ndërsa hetimet janë në vijim.

Nisin ndeshjet eleminatore për play off-in

0

  Pas mbylljes zyrtarisht të garës për renditjen finale të 12 ekipeve të kategorisë së parë, të enjten e 24 Prillisht do të zhvillohen përballjet me eleminim direkt për të zënë vendin e skuadrës që do të përballet me ekipin e vendit të 8 në superligë. Dy takimet që do të luhen nesër janë ato mes Burreli dhe Pogradecit si dhe Apolonisë dhe Besës. Ekipet fituese në këto dy përballje do të luajnë me njëra – tjetrën dhe fituesi do të luajë pastaj në play off me skuadrën e vendit të 8 që aktualisht mbahet nga skuadra e Skënderbeut.

Ndërkohë, skuadra matjane është përqendruar totalisht tek takimi i së enjtes ku ka zhvilluar seanca të ngjeshura stërvitore që prej së dielës. Ekipi i drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj është besimplotë që do ta kalojë me sukses këtë sfidë e cila është shumë e rëndësishme për të kaluar në raundin tjetër për tu përballur me një nga ekipet që do të dalë fitues, Apoloninë apo Besën.

Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në orën 15:00 ku Burreli dhe Pogradeci përballen në stadiumin “Liri Ballabani”.

  Prefekti Shehu thirr mbledhjen e parë për këtë vit të strukturave të mbrojtjes civile në Qarkun Dibër

  Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu ka thirrur në mbledhjen e parë për këtë vit kalendarik drejtuesit e strukturës së mbrojtjes civile në të katër bashkitë e Qarkut Dibër. Shehu tha se kjo mbledhje i paraprin sezonit veror i cili vazhdimisht ka prodhuar zjarre në masive pyjore të ndryshme duke shkaktuar një dëm të madh në ekonominë pyjore të të gjithë Qarkut Dibër. Po ashtu, prefekti kërkoi edhe planet tre vjeçare të hartuara nga ana e bashkive për emergjencat e mundshme civile që vijnë jo vetëm nga zjarret por edhe nga dukuri të tjera natyrore.

Të pranishëm në mbledhjen e parë të shtabit të mbrojtjes civile në rang qarku ishin jo vetëmn përfaqëues të pushtetit vendor, por edhe të policisë së shtetit, forcave të armatosura e strukturave të tjera që asistojnë në rastet kur shfaqen emergjenca civile.

lëshohet urdhërarrest për Irini Shehun; Ish drejtoresha e spitalit Rajonal të Dibrës

0

U kallzua penalisht për kërcënim të disa personave si dhe goditjen e shefit të financës, lëshohet urdhërarrest për Irini Shehun

Ish drejtoresha e spitalit Rajonal të Dibrës e cila u shkarkua nga kjo detyrë pak javë më parë vijon të jetë në telashe me drejtësinë.

Shehu u shkarkua nga detyra pasi goditi me një mjet metali shefin e financës, pasi Shaban Uklala e denoncoi atë në polici.

Por pas këtij episodi teksa Shehu hetohej në gjendje të lirë, të tjerë punonjës të spitalit e kanë denoncuar atë për fyerje dhe kërcënime.

Rasti i fundit ka qenë i një dite më parë teksa policia njoftoi se ka bërë një tjetër procedim ndaj Shehut pasi dyshohet se ka kërcënuar me sms dhe thirrje telefonike shtetasen Sh.B 48 vjeçe.

Po ashtu, këtë të enjte, Shehu është paraqitur tek spitali, gjë të cilën e kishte të ndaluar. Mësohet se edhe gjatë ditës së sotme ka patur përplasje me punonjës të spitalit.

Nisur nga këto ngjarje, prokuroria ka urdhëruar arrestimin e Irini Shehut, por kjo e fundit mundohet ta shmangë me gjendjen e saj shëndetësore teksa qëndron në një nga dhomat e spitalit nën monitorimin e policisë së shtetit.

Vetë Irini Shehu e ka konsideruar urdhërarrestin të paligjshëm dhe të pabazuar në prova.