Ballina Blog Faqe 2

Fermeri Kryemadhi: të paktën 2 milionë lekë humbje

  Fermerët e prodhimit të qershisë, në Dibër e më gjerë, po përballen me mungesë të theksuar të prodhimit këtë sezon. Thuajse të gjithë fermerët janë dëmtuar nga moti i keq i fillimit të muajit Prill të këtij viti. Bilbil Kryemadhi, nga fshati Grevë i Dibrës, thotë se aktualisht dëmi përllogaritet në rreth 20 milionë lekë të vjetra. Të gjitha qershitë janë dëmtuar nga ngrica duke mos prodhuar asgjë. Fermeri Kryemadhi thotë se për dëmin e shkaktuar nuk është interesuar asnjë instancë shtetërore, por janë paraqitur vetëm për të kërkuar votat në zgjedhjet e 11 Majit. Fermeri Bilbil Kryemadhi thotë se të huajt çuditen se si ka mundësi që në vendin tonë, kur dëmtohet fermeri nuk marrin asnjë dëmshpërblim nga shteti.

Të njëjtin fat ka patur edhe molla këtë vit. Fermeri Kryemadhi shprehet se as molla nuk do të ketë prodhim, duke bërë që dëmi ekonomik të rritet akoma më shumë.

Fakti i mosprezencës së tregtarëve që shesin qershi në rrugë tregon qartë që këtë vit prodhimi i qershisë në Dibër, është zero.

Shirat e fundit dëmtojnë bujqësinë në luginën e Matit

  Reshjet e shiut të rëna ditët e fundit kanë shkaktuar dëme në bujqësi. Dëmi më i madh ka qenë tek barërat që korren në këtë periudhë, për tu përdorur gjatë stinës së dimrit si ushqim për bagëtinë. Fermeri Elez Elezi, nga fshati Bërshi i Klosit, thotë se reshjet e vazhdueshme të shiut nuk po e lënë barin të thahet dhe ai po kalbet në fusha. Këto dëme i shtohen edhe dëmeve të mëdha që shkaktuan ngricat e Prillit ku dëmtuan thuajse të gjithë pemtarinë. Fermeri Elez Elezi shprehet se këtë vit çdo produkt që mund ta siguronin nga pemët e tyre do të duhet ta sigurojnë nëpërmjet blerjes në treg pasi nuk ka mbetur asgjë.

Nga ana tjetër, fermerët shpresojnë që kushtet e motit të përmirësohen dhe të mbjellin kulturat e tjera bujqësore, në mënyrë që të mos mbeten pa asnjë lloj prodhimi në bujqësi këtë vit.

Mbyllet numërimi edhe për votat preferenciale të diasporës, kandidatët më të votuar në Qarkun Dibër

  Është mbyllur këtë të hënë numërimi i të gjitha votave të diasporës për Qarkun Dibër. Nga numërimi i votave të partive dhe koalicioneve zgjedhore rezulton se Partia Socialiste ka marrë 4,627 vota, Partia Demokratike 2,291 vota dhe në vend të tretë është Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 371 vota. Partia Socialiste rezulton fituese edhe tek votat e diasporës me një diferencë prej 2,336 vota.

Ndërkohë, ka përfunduar edhe numërimi i votave preferenciale. Kandidati i pjesës së hapur të listës së Partisë Socialiste, Agron Malaj është më i votuari me 2,121 vota, ndjekur nga Murat Dani me 1,118 vota dhe Danjel Gjura me 937 vota.

Në kampin blu, më i votuar nga diaspora në pjesën e listës së hapur është Përparim Spahiu me 734 vota, ndjekur nga Basir Çollaku me 650 vota dhe Xhemal Gjunkshi me 429 vota.

Ish-kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, i cili do të jetë pjesë e parlamentit të ardhshëm, ka siguruar në total 14,737 vota preferenciale, ndjekur nga Murat Dani me 8,809 vota dhe Danjel Gjura me 8,123 vota.

Në koalicionin e Partisë Demokratike Përparim Spahiu me 6,239 vota, ndjekur nga Xhemal Gjunkshi me 6,122 vota dhe Basir Çollaku me 5,249 vota preferenciale.

Në ditët në vijim pritet që KQZ të certifikojë zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit.

Asnjë kujdes ndaj bypassit të Murrizit, gurët pushtojnë rrugën

  Që prej hapjes për qarkullim të tunelit të Murrizit asnjë përkujdesje nuk është treguar ndaj bypassit. Segmenti nga hyrja e tunelit deri në anën tjetër të fshatit Bastar Murrize është lënë totalisht në mëshirë të fatit, ku dhe ka nisur degradimi i tij.

Në anën e fshatit Xibër – Murrize të Bashkisë Klos ka rënie të vazhdueshme të gurëve por askush nuk i heq për shkak se rruga nuk përdoret më si para 14 Marsit të këtij viti.

Mungesa e mirëmbajtjes së kanaleve kulluese anësore bën që uji të rrjedhë përmes asfaltit dhe nga shpati i malit të shemben gurë.

Ndërkohë, banorët që jetojnë në zonë kërkojnë që ky aks të mirëmbahet jo vetëm se mund të jetë i domosdoshëm në raste emergjente brenda tunelit, por edhe sepse ai i shërben fshatit, por jo vetëm.

Në periudhën pranverë – vjeshtë, zona e Qaf Murrizit frekuentohet në maksimum nga vizitor vendas e të huaj të cilët shijojnë bukuritë natyrore të zonës, por nëse rruga nuk do të mirëmbahet, atëherë sipas banorëve do të bie edhe interesi i turistëve.

Breshër në zonat mbi 1000 metra mbi nivelin e detit

  Edhe këtë të shtunë vendi ynë është përfshirë nga mot i paqëndrueshëm duke sjellë reshje të dendura shiu në zonën verilindore. Ndërkohë, në zonat malore mbi 1 mijë metra mbi nivelin e detit pati edhe reshje breshëri.

Reshjet e breshërit përfshinë një pjesë të fshatit Xibër – Murrize në Bashkinë e Klosit ku zgjatën për disa minuta. Banorë të zonës thanë jashtë kameras se reshjet e ditës së shtunë kanë shkaktuar dëme në pemtari për shkak se ishin në formë rrebeshi.

Siç duket nga pamjet, reshjet ishin në pjesën jugore të fshatit deri në Qafën e Murrizit. Për shkak të lartësisë mbi nivelin e detit kjo zonë përfshihet vazhdimisht nga reshjet e breshërit, ndërsa vitin e kaluar, banorëve ju dëmtuan të gjitha prodhimet për shkak të sasisë së madhe të breshërit të rënë.

Ndërkohë, sinoptikanët parashikojnë që kushtet atmosferike do të vijnë nëpërmirësin që prej ditës së dielë, me rritjen e temperaturave të cilat do të kapin vlerën minimale mbrëmjen e sotme 6 gradë Celsius.

Bllokohet naftë kontrabandë në doganën e Bllatës në Dibër

   Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare, Dibër, kanë bërë të mundur goditjen e një rasti të tentativës për të kontrabanduar në Shqipëri, mallra për të cilat paguhet akcizë.

Shërbimet e Policisë Kufitare Bllatë, në hyrje të vendit tonë, kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin P. Ç, në të cilin u gjetën 17 bidonë të mbushur me 412 litra benzinë dhe naftë, që ky shtetas po tentonte t’i fuste në vendin tonë, pa i deklaruar.    

Sasia e karburantit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashku me automjetin, ndërsa drejtuesi i tij, shtetasi P. Ç., 54 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”. 

Ndërkohë shteti fqinj i Maqedonisë së Veriut frekuentohet thuajse nga pjesa më e madhe e dibranëve dhe bulqizakëve për tu furnizuar me karburante për shkak të çmimit shumë të ulët që kanë matanë kufirit hidrokarburet në krahasim me vendin tonë.

Raste të tentativës për nxjerrje të karburanteve nga Maqedonia e Veriut nëpërmjet pikës doganore të Bllatës kanë qenë të shpeshta, por janë bllokuar nga autoritetet doganore.

Mbyllet numërimi i votave preferenciale, mandati i tretë i PS i takon Agron Malajt

Është mbyllur këtë të mërkurë i gjithë procesi i numërimit të votave në qarkun Dibër edhe për preferencialet të cilat përcaktojnë deputetët në pjesën e hapur të listave të kandidatëve.

Pas numërimit të 222 kutive të votimit në rang qarku, kandidati i Partisë Socialiste Agron Malaj ka arritur të grumbullojë 12,616 vota, Murat Dani 7,691 vota dhe i treti është Danjel Gjura me 7,188 vota. Aktualisht kandidati Agron Malaj është më i votuari edhe në rang kombëtar, si ndër kandidatët socialistë më të preferuar. Edhe pse në shënjestër të vazhdueshme të sulmeve të opozitës, ish-kryebashkiaku i Matit Agron Malaj i ka ndryshuar pas tre dekadave fytyrën Matit, përmes investimeve të thithura me projektet e shumta të fituara.

Ndërkohë, në kampin blu më i votuari në Qarkun Dibër është kandidati Xhemal Gjunkshi me 5,693 vota. I dyti në listë është Përparim Spahiu me 5,505 vota dhe i treti Basir Çollaku me 4,599 vota.

Ndërkohë, vijon në Tiranë numërimi i votave të diasporës çka do të ndikojnë edhe në rezultatin e përgjithshëm të votave të partive, po ashtu edhe për kandidatët, megjithëse për këta të fundit nuk pritet të ketë surpriza pasi tashmë kandidati socialist Agron Malaj e ka të siguruar mandatin e tij. Gjithësesi, në qarkun Dibër janë numëruar 2745 nga 7495 zarfe të diasporës në total, ku kryeson PS me 1652 vota, ndjekur nga PD me 832 vota.

Emrat që do të shkojnë në parlament si deputetë të Qarkut Dibër nga këto zgjedhje janë Blendi Klosi, Alma Selami dhe Agron Malaj për Partinë Socialiste dhe Xhelal Mziu e Denisa Vata për Partinë Demokratike.

Nga numërimi i votave preferenciale për 139 nga 222 QV në Qarkun Dibër deri në orën 21.00  rezulton se Kandidati socialist Agron Malaj është në avantazh me 12051 vota

Nga numërimi i votave preferenciale për 139 nga 222 QV në Qarkun Diber deri në orën 21.00  rezulton se Kandidatet e PS kanë keto vota: 1. Agron Malaj 12051  2. Murat Dani 2955 3.Daniel Gjurra 3010  4.Dritan Selishta 335  5. Valentina Haliti 157 vota, ndërsa Kandidatët e ASHM-PD kanë marrë këto vota: 1. Basir Çollaku 4466 2. Përparim Spahiu 3112  3. Xhemal Gjunkshi 2474  4. Alketa Agolli 881  5. Ismail Uka 350 vota. Numërimi ka përfunduar në KZAZ-16 (Bashkia Mat dhe KZAZ-17 (Bashkia Klos)

Rezultatet e votës parapëlqyese në Qarkun Dibër deri në orën 14.00

Numëruar 48 / 222 QENDRA VOTIMI

KANDIDATET, PARTIA SOCIALISTE

1 – Agron Malaj 7844

2 – Murat Dani 148

3 – Danjel Gjura 62

4 – Valentina Haliti 12

5 – Dritan Selishta 4

KANDIDATET, ASHM-PARTIA DEMOKRATIKE

1 – Basir çollaku 3008

2 – Perparim Spahiu 483

3 – Xhemal Gjunkshi 404

4 – Alketa Agolli 153

5 – Ismail Uka 28

Rezultatet e votës parapëlqyese në Qarkun Dibër deri në orën 12.00

Numëruar 40 / 222 QV total. PS Agron Malaj 6419, ASHM-PD Basir Çollaku 2648, ASHM-PD Përparim Spahiu 395, ASHM-PD Xhemal Gjunkshi 279, PS Murat Dani 127 vota.

Deri ne keto momente janë numëruar 40 qendra votimi.