Mjeku Pëllumb Pipero ka sqaruar deklaratën e tij, ku shprehej lidhur me pandeminë e koronavirusit. Në një prononcim për Dosja.al, Pipero tha se nuk kishte shprehur dëshirën që të infektohej nga koronavirusi, por që të fitonte imunitet ndaj tij.
Duke përdorur dhe termat shkencorë, Pipero sqaroi se do të donte të ishte pozitiv nga IgG, që do të sillte më pas edhe imunitetin natyral ndaj COVID-19.
“Është e vërtetë që do të dija të isha pozitiv me IgG që tregon fillimin e fitimit te imunitetit pas rënies në kontakt me virusin, pra të atij që quhet imunitet natyral, dhe në asnjë mënyrë i sëmurë, edhe pse njerëz jemi dhe mund të sëmuremi. Ka një dallim esencial midis analizës përmes tamponit që është diagnostikuese dhe serologjisë që dëshmon rënie në kontakt, pra ekspozim, dhe fitim gradual të imunitetit!,”-sqaroi mjeku.