Shtresa e pensionistëve të krahinës së Martaneshit, edhe pse kanë punuar prej 3-4 dekadash, si në minierën e kromit ashtu dhe në ndërmarrje të tjera, thonë se kanë të ardhura të pamjaftueshme me pensionin që marrin për të bërë plazh në bregdet, apo pushime verore në vende turistike. Ka prej tyre që shprehen se nuk e kemi idenë e të bërit plazh, përveçse e shohin vetëm përmes televizionit. Ndërsa një tjetër ish punonjës i NFP-së thotë se vetëm një herë në jetën e tij ka shkuar me pushime, kur e ka dërguar Bashkimet Profesionale të asaj kohe.
Të ulur nëpër bordura të qendrës së qytezës së Krastës, në pamundësi ekonomike për të konsumuar një kafe në ndonjë lokal, pensionistët kërkojnë nga instancat përkatëse që të mendojnë edhe për rritjen e pensioneve, dhe jo për të rritur pagat e pushtetarëve.